Drejtësi në “ngërç”, dështojnë seancat për Shullazin dhe Arbër Çekajn – A2

Drejtësi në “ngërç”, dështojnë seancat për Shullazin dhe Arbër Çekajn

Procesi ndaj Emiliano Shullazit dhe katër të bashkëpandehurve të tij në Apelin e Gjykatës së Posaçme  mbetet në “ngërç”. Seancat e së mërkurës u shtynë pak minuta, për shkak të mosplotësimit të trupit gjykues, i mbetur me vetëm një anëtar.

Në dhjetor Këshilli i Lartë Gjyqësor kërkoi nga Kuvendi ndryshime emergjente ligjore për zgjidhjen e situatës, ndërsa një javë më pare hapi procedurën për plotësimin e Apelit të Posaçëm me 5 anëtarë të rinj.

Të dyja variantet kërkojnë kohë deri në finalizim dhe plotësimin e trupës për gjykimin e dosjes “Shullazi”, shqyrtim ende i panisur, ndonëse seanca e parë në Apel daton në janar 2019.

Mbajtja bllokuar e procesit, me herët përmes të tjera manovrash proceduriale, mund të çojë në lirimin e parakohshëm të të pandehurve. Afati 9-mujor i qëndrimit në paraburgim gjatë gjykimit në Apel është pranë skadimit të tij. Në rast se përfundon, lirimi nga qelia i të pandehurve është i pashmangshëm.

Të mërkurën, Gjykata e Posaçme u detyrua të shtyjë për në 12 mars edhe procesin ndaj Arbër Çekajt dhe dy të bashkëpandehurve të tij, të akuzuar për trafikimin e 613 kg kokainë kolumbiane në Shqipëri.

Seanca dështoi për shkak të mungesës së avokatëve të dy prej të pandehurve. Procesi ka mbetur në “vend numëro” prej seancës së 20 nëntorit, kur prokurori lexoi pretencën dhe kërkoi dënime nga 8 vjet e 8 muaj në 14 vjet burg për të pandehurit.

Çështja ka ngecur në konkluzionet e mbrojtjes, të cilat ende nuk janë paraqitur nga avokatët para gjykatës.