“Ex nihilo” i Greg Ramës, udhëtim ndjesish në instalacionin që lindi ‘‘nga asgjëja’’

Jo gjithçka nis nga asgjëja, por arti po.

“Nuk është e mundur që çdo gjë të lindi nga asgjëja, por disa ide vijnë nga asgjëja, vijnë papritur, spontanisht, por gjithmonë në pavetëdije janë ato ingranazhet që punojnë pa ndalim edhe ne nuk i ndjejmë dhe nuk i dëgjojmë, nuk i kuptojmë, derisa në një moment ta japin sinjalin “Shiko se duhet bërë kjo gjë”, shprehet artisti i ri Greg Rama.

Kështu ka lindur edhe instalacioni i ri Greg Ramës, “Ex nihilo”, që nga latinishtja nënkupton “nga asgjëja”

“Kam qenë diku, kam qenë vetëm dhe ka qenë një periudhë pak e ngarkuar, nga e përditshmja, nga rutina dhe ndërkohë që po mendohesha isha pikërisht në një vend me shumë fije bari aty përpara dhe mendova sikur të krijoja diçka me një gjë kaq të thjeshtë dhe ka ardhur shumë spontanisht dhe natyrshëm, dhe pastaj koncepti u krijua, u zhvillua dhe më pas u konkretizua”, rrëfen artisti.

Një bulë uji dhe fije bari që kalojnë nga njëra dhomë në tjetrën e lëvizin individin në stade të ndryshme artistike dhe emocionale, njëlloj sikurse edhe artistin.

Greg Rama hap dyert e galerisë “Fab” pasditen e së martës për t’u prezantuar me këtë instalacion që do të jetë në Universitetin e Arteve deri më 15 mars.