Koronavirusi në Itali, të gjitha shkollat e mbyllura deri në mesin e marsit

Qeveria italiane po konsideron mbylljen e të gjitha shkollave dhe universiteteve në territorin e vendit, deri në mesin e muajit mars, në përpjekjen për të frenuar përhapjen e koronavirusit.

Mbi 2200 persona rezultojnë të prekur nga koronavirusi në Itali, 1 mijë prej të cilëve në izolim shtëpiak, me simptoma të lehta.

Janë 160 persona të shëruar, 11 më shumë se një ditë më parë, ndërsa viktimat janë 79. Sipas të dhënave të mbrojtjes civile, shumica e rasteve janë në Lombardi, Emilia Romanja dhe Veneto.

Italianëve u është kërkuar të ndryshojnë stilin e jetesës të paktën për 30 ditë. Nuk do të ketë shtrëngime duarsh, përqafime, apo grumbullime publike përfshirë ato sportive. Ndeshjet e futbollit mund të zhvillohen vetëm me dyer të mbyllura.

Qeveria synon, gjithashtu, të fuqizojë sistemin shëndetësor me një rritje prej 50 përqind të shtretërve në terapi intensive, ku po ndihet edhe më shumë emergjenca e koronavirusit.