Nga 0 në 100 km/h për 1,9 sekonda, Koenigsegg prezanton modelin e ri

Nëse bëheni shpesh vonë për takime, kjo është makina e duhur për ju. Nga 0, në 100 km/h për 1,9 sekonda, modeli i ri Koenigsegg Gemera është një supermakinë sportive, luksoze dhe e shpejtë, për më tepër me katër vende.

Me një shpejtësi maksimale prej 399 km/h, kompania suedeze pretendon të “pushtojë” tregun e makinave sportive luksoze, edhe pse ka vendosur të prodhojë jo më shumë se 300 të tilla, secila me një çmim fillestar që llogaritet të jetë 1,7 milionë euro. Gemera ka një motor hibrid, me dy turbo, që do të arrijë deri në 600 kuaj fuqi, por edhe një bateri 16 kw.

Për të ruajtur shpejtësinë, pesha është reduktuar në minimum, me përdorimin e paneleve alumini dhe me fibër karboni. Koenigsegg Gemera peshon 1850 kg, një shifër tepër e ulët për një makinë me katër ndenjëse që arrin këto parametra.