Një i dënuar me burgim të përjetshëm dhe dy trafikantë marrin formularin e vetëdeklarimit nga OFL – A2

Një i dënuar me burgim të përjetshëm dhe dy trafikantë marrin formularin e vetëdeklarimit nga OFL

52900ab0 4af9 4924 8907 91240a359509 1100x620

Një person i dënuar me burgim të përjetshëm për disa vepra penale, do të duhet të deklarojë burimet e pasurisë, pasi në kuadër të Operacionit Forca e Ligjit i është dorëzuar formulari i vetëdeklarimit.

Bëhet fjalë për shtetasin me iniciale J.A., banues në Tepelenë, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Përmet ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Vrasja me dashje në lidhje me një krim tjetër, mbetur në tentativë” në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”. Gjithashtu, ky shtetas është dënuar nga Gjykata e Rrethit Tiranë, me burgim të përjetshëm për veprën penale “Vrasja me paramendim” dhe me 4 vite për veprën “Armëmbajtja pa leje”. Në bashkim të dënimeve Gjykata e ka dënuar me burgim të përjetshëm, për veprat penale të mësipërme.

Formulari i vetëdeklarimit iu është dërguar edhe dy personave të tjerë: K.B., banues në Gjirokastër, i cili është arrestuar nga autoritetet greke, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, si dhe F.T., banues në Tiranë, për të cilin Gjykata e Rrethit Tiranë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve” në bashkëpunim.

Si subjekte të Ligjit Special, ata duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së, të cilat do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.