Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Reforma zgjedhore, pjesëmarrësit e tryezës politike raportojnë para ambasadorëve; Gjiknuri: 15 marsi duket i pamundur për t’u arritur

Nga A2 CNN
4 Mars 2020, 11:08 | Politikë
Reforma zgjedhore, pjesëmarrësit e tryezës politike

Katër përfaqësuesit e partive politike në atë që është quajtur tryeza e reformës zgjedhore kanë raportuar para ambasadorëve të OSBE-së, SHBA-së, BE-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë dhe disa të tjerë, për ecurinë e diskutimeve deri tani.

Sipas burimeve të A2, përfaqësuesi i PD, Oerd Bylykbashi, mësohet t’u ketë thënë ambasadorëve se kryeministri Edi Rama nuk mund të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Zgjedhjet kanë arritur nivelet më të ulëta në raport me standardet e OSBE-së. Nëse në vitin 2009 zgjedhjet arritën shumicën dërrmuese të standardeve të OSBE-së, nga 2015-2019 raportet e ODIHR kanë si shqetësim prioritar shkeljen e standardeve bazë: lirisë dhe sekretit të votës, shitblerjen e votës, lirinë nga frika e ndëshkimit, ndarjen e shtetit nga partitë dhe fushën e barabartë të lojës”, citohet të ketë thënë Bylykbashi.

“Produkt i këtyre standardeve të dhunuara është parlamenti i dalë nga votat e blera dhe të dhunuara në vitin 2017 dhe pushteti vendor i emëruar nga kryeministri në të gjitha bashkitë, emërim i ratifikuar me votim monist. Legjitimiteti i parlamentit dhe pushtetit vendor, dy mbajtësve të përfaqësimit demokratik me votë, nuk është thjesht i minuar, ai thjesht nuk ekziston. Parimet që kanë dështuar në zgjedhje janë parime kushtetuese. Dhunimi i tyre masiv, në çdo vend normal do të çonte në anulim të zgjedhjeve ‎nga Gjykata Kushtetuese dhe sistemi gjyqësor, por në Shqipëri asnjë gjykatë nuk ekziston apo nuk është e lirë nga presioni. Këtë e thotë ODIHR. Rënia e kësaj garancie nuk është vetëm rënie e shtetit të së drejtës, por e demokracisë përmes zgjedhjeve”, u shpreh Bylykbashi.

Ndërsa përfaqësuesi i shumicës në tryezë, Damian Gjiknuri, informoi ambasadorët mbi çështjet që kanë mbetur ende pezull. Burime nga takimi bëjnë të ditur për A2 që Gjiknuri është shprehur se shpreson që “brenda datës 15 mars palët të jenë të dakordësuar për të gjitha çështjet. Po qe e mundur për ta miratuar deri në atë datë, shumë mirë, por kjo duket si e pamundur për aq kohë sa duhet bërë formulimi dhe duhet kaluar procedura në Parlament”.

Qëndrimet e ambasadorëve

Në përfundim të takimit, ambasadori i OSBE, Bernd Borchardt, e quajti konstruktiv takimin. “Ne inkurajuam negociatatorët të arrinin kompromis, folëm për depolitizimin e administratës, median e pavarur”, tha ai. Sa i përket propozimit për pezullim të vetting-ut për anëtarët e kolegjit zgjedhor, Brochardt u shpreh se duhen respektuar parashikimet e Kushtetutës. I të njëjtit qëndrim ishte edhe ambasadori i BE, Soreca, për sa i përket kolegjit elektoral, duke thënë se duhet të jetë në linjë me Kushtetutën dhe ligjet.

Ambasadorja amerikane, Yuri Kim, tha se e rëndësishme në këtë pikë është që palët të qëndrojnë në tavolinën e bisedimeve. “Nuk ka fitore 100% për asnjërin”, mësohet të ketë thënë ajo.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani