Rindërtimi pas tërmetit; Rama: Duhen 4 palë sy. SHBA e BE: Ju mbështesim, por duhet transparencë

“Do të kemi 4 palë sy që gjërat të shkojnë në vendin e duhur”. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama në takimin e radhës së Komitetit të Rindërtimit, duke premtuar se kontributet e Brukselit do të shkojnë në vendin e duhur.

“Duhet të kthejmë nën çati ata që kanë humbur banesat private, që të festojnë Vitin e Ri në shtëpitë e tyre. Duam që fëmijët të shkojnë në shkolla në fillim të vitit shkollor. E di që është një nismë ambicioze, por duhet që ta bëjmë realitet, në mënyrë që programi i rindërtimit të Shqipërisë të shndërrohet në një model që BE-ja t’ua propozojë shteteve të tjera”, tha Rama.

Diplomatët e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, të pranishëm në mbledhje, garantuan mbështetjen e tyre, por kërkuan llogaridhënie transparente për çdo qindarkë.

“Ne kemi detyrim për të ndihmuar dhe për të këshilluar. Por për ta bërë këtë gjë duhet të jemi pjesëmarrës në këtë proces dhe prandaj është e rëndësishme të jemi këtu dhe gjithashtu me skuadrën që do ta drejtojë këtë program, në mënyrë që të gjitha proceset të jenë transparente”, tha Soreca. “Do të vazhdojmë të jemi pranë jush dhe do të ofrojmë ndihmën teknike që do të duhet për t’u siguruar që donacionet nga e gjithë bota të shpenzohen në mënyrën e duhur në dobi të qytetarëve shqiptarë”, u shpreh Yuri Kim.