Thaçi: Takimi në Uashington, kthesë pozitive e kritike

KR TAKIMI THACI UJDIA.duplicate frame 1001 1100x620

Kosova dhe Serbia duhet ta shfrytëzojnë këtë mundësi dhe këtë moment për të arritur një marrëveshje finale. Kështu u shpreh presidenti Hashim Thaçi, i cili vlerësoi shtysën e re që po i jep Amerika dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit. Ai nënvizoi se takimi me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç në Shtëpinë e Bardhë, do të jetë moment i kthesës kritike dhe pozitive nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara.

“Takimi i Uashingtonit në çastin që po flas, dy ditë më parë mes presidentëve të dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë, besoj do të jetë takimi dhe momenti i kthesës kritike dhe pozitive që do të udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, lidershipi dhe presidenti Trump, mençurisë së ambasadorit Grenell, të arrihet marrëveshja në të ardhmen e afërt”, tha Thaçi.

Ai shtoi se takimi në Uashington është inkurajues për të dyja palët dhe për hapjen e perspektivës euroatlantike për të gjithë Ballkanin Perëndimor. Sipas tij, kjo marrëveshje duhet të sjellë njohjen reciproke mes të dyja vendeve. “Këtë momentum dhe këtë mundësi, e ritheksoj, këtë momentum, nga Uashingtoni duhet ta shfrytëzojmë, edhe Kosova, edhe Serbia, dhe të gjitha palët që janë të interesuara për arritjen e paqes Kosovë-Serbi si garanci për paqe ne tërë Ballkanin Perëndimor”.