Sondazh: Sa ju kanë funksionuar dietat e shpejta pranverore?
  • Gjithmonë 18%
  • Me raste 45%
  • Asnjëherë 36%

Urdhri i Inxhinierëve, pse i duhet Shqipërisë?

Nga A2 CNN
4 Mars 2020, 20:41 | Ekonomi
Urdhri i Inxhinierëve, pse i duhet Shqipërisë?

Shqipëria është një ndër vendet e pakta që nuk ka një urdhër për profesionin e inxhinierit. Përpjekjet për të ngritur një urdhër të tillë, të rregulluar me një ligj të posaçëm, po bëhen tashmë prej disa vitesh.

Shoqata Shqiptare e Inxhinierëve Konsulentë ka nënshkruar në vitin 2017 një marrëveshje me Ministrinë e Transporteve, tashmë Ministria e Infrastrukturës. Kjo shoqatë ngriti grupin e punës për hartimin e ligjit që do të mundësonte urdhrin. Paralelisht, ajo nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Urdhrin Italian të Inxhinierëve, për të marrë asistencë prej tyre. I njëjti bashkëpunim u vendos edhe me shoqatën e inxhinierëve të Holandës. Për hartimin e një ligji sa më të plotë, u mor mendimi i ekspertëve dhe akademikëve shqiptarë.

Në tetor të 2018-ës, draft ligji i dakordësuar edhe me 10 shoqata të tjera të inxhinierëve dhe i certifikuar nga Urdhri Italian dhe shoqata holandeze iu dërgua qeverisë. Kjo e fundit ngriti grupin e punës, për të shqyrtuar draftin e sjellë nga inxhinierët dhe për të mundësuar kështu Urdhrin e Inxhinierëve.

Pse është i nevojshëm ky urdhër për Shqipërinë? Cilat janë përfitimet e qytetarëve dhe ekonomisë? Për këtë temë u diskutua këtë të mërkurë në A2 Business Week, ku të ftuar ishin Farruk Kaba, president i Shoqatës së Inxhinierëve dhe Gëzim Beqaj, sekretar i Shoqatës së Inxhinierëve.

“Kjo është një praktikë, një eksperiencë që e kanë të gjitha vendet e botës. Organizimi i bizneseve është shumë i rëndësishëm, jo vetëm për bizneset, por edhe për qeverinë. Në Shqipëri ekzistojnë disa urdhra, ndërsa inxhinieria, e cila është në thelbin e ndërtimeve, e të gjitha aktiviteteve industriale, ende nuk e ka një urdhër. Tentativat janë bërë që në vitin 2007, kur u përgatitën të gjitha dokumentet, por dështoi. Ky urdhër është i nevojshëm për të mirën e ekonomisë. Urdhri, jo vetëm certifikon inxhinierët, sipas kritereve, por ai i merr edhe në njëfarë provimi për t’i “kolauduar”. Në Konferencën e Mileniumit, në vitin 2000, është thënë: Inxhinieria dhe inxhinierët janë gjeneratorët e shoqërisë njerëzore”, u shpreh Farruk Kaba, President i Shoqatës së Inxhinierëve.

Ndërkohë, Gëzim Beqaj, sekretar i Shoqatës së Inxhinierëve theksoi se qëllimi kryesor i ligjit është që të disiplinohen shërbimet inxhinierike, por në një formë tjetër, nëpërmjet vetërregullimit. “Nëpërmjet pavarësisë në vendimmarrje dhe në interes të publikut që ne të ofrojmë shërbime të sigurta. Në jemi në prag të çuarjes së draftit në parlament. Është punuar një vit rresht me asistencën e italianëve dhe holandezëve. Këtë asistencë do ta kemi edhe pas krijimit të urdhrit. Më e rëndësishme, ata na kanë dhënë opinionin final për këtë draft-ligj”, u shpreh Beqaj.

Ndërkohë, në një lidhje në A2 Business Week foli sekretari i përgjithshëm i Urdhrit Italian të Inxhinierëve, Roberto Orvieto, i cili u shpreh se urdhri duket të jetë i pavarur nga politika. Ai theksoi se urdhri është një garanci për klientin dhe qytetarin.

“Është shumë e rëndësishme që Urdhri i Inxhinierit të jetë një urdhër i pavarur nga politika. Urdhri ynë i inxhinierëve, që quhet Këshilli Kombëtar i Inxhinierëve, është një organizëm jo politik dhe është i mbikëqyrur nga Ministria e Drejtësisë. Është e rëndësishme që të jetë mbikëqyrja e Ministrisë së Drejtësisë, por është gjithashtu e rëndësishme që urdhri të jetë i pavarur. Është shumë e rëndësishme që për sigurinë e qytetarëve, çdo inxhinier të ketë një sigurim profesional. Duhet kuptuar që urdhri është një garanci për klientin dhe qytetarin. Kështu që në Itali dhe në shumë vende të tjera është i detyrueshëm sigurimi profesional, në mënyrë që nëse ndodh një dëm gjatë ushtrimit të profesionit, qytetari të ketë mundësi që të dëmshpërblehet dhe klienti të ketë mundësi të dëmshpërblehet”, u shpreh sekretari i përgjithshëm i Urdhrit italian të Inxhinierëve, Roberto Orvieto.

A2 CNN Livestream

Dita jonë