Piramida 4700 vjeçare hap dyert për turistët në Egjipt – A2

Piramida 4700 vjeçare hap dyert për turistët në Egjipt

Një piramidë 4700 vjeçare në Egjipt, e cila u shpëtua nga shembja nga një firmë ndërtimi britanike, hapi dyer për publikun për herë të parë pas 90 vitesh.

Piramida e Djoser ka një lartësi prej 60 metrash dhe mendohet që të jetë piramida e parë që është ndërtuar në Egjipt dhe ndërtesa më e vjetër në botë.

Ajo është ndërtuar e gjitha prej gurësh nga arkitekti egjiptian Imhotep, në nekropolin e Saqarës në jug të Kajros, për të varrosur Mbretin Djoser, themeluesin e Mbretërisë së Vjetër.

Por trarët e gurit dhe blloku mbështetës i strukturës ishin dëmtuar ndjeshëm me kalimin e mijëvjeçarëve.

Inxhinieri Peter James, nga Newport i Uellsit nisi të riparojë varrin e rrënuar në vitin 2011 dhe struktura u forcua mjaftueshëm aq sa për ta bërë të vizitueshme sërish nga turistët.

Vizitorët tashmë kanë mundësinë të vizitojnë dhomën ku është varrosur Mbreti Djoser për herë të parë pas vitit 1930, kur ajo ishte mbyllur për motive sigurie.