“Ai që mbjell një pemë, mbjellë një shpresë”, thoshte poetja amerikane, Lucy Larcom. Pikërisht për të mbjellë këtë shpresë për planetin tonë po angazhohen shumë shtete. Presidenti amerikan Donald Trump tha se vendi i tij i është bashkuar nismës së mbjelljes së një trilion pemëve për të mbrojtur mjedisin. Por se si mund të mbillen 1 trilion pemë dhe çfarë ndikimi kanë në tokë?
Në shi, breshër, dëborë ose nxehtësi flakëruese, ju jeni në frontin e parë me një lopatë në dorë duke luftuar kundër natyrës për të kursyer mjedisin. Në një ditë të mirë, ju mund të mbillni 2,000 pemë në një hark kohor prej 10 orësh.
Por nëse do të mbillnit të vetëm 1 trilion pemë do iu duheshin 570 mijë vite. E pamundur apo jo? Kjo vërteton se mbjellja e pemëve nuk është e lehtë. Përveç lodhjes fizike, ata që marrin përsipër këtë punë përballen me një sërë faktorësh. Por nëse dikush nuk do të mbillte pemë, atëherë jeta do të bëhej shumë e vështirë për të gjithë.
Që prej vitit 1900, temperatura mesatare e Tokës është rritur me 1 gradë celsius. Nuk duket shumë, por prisni deri sa ta ndjeni.
Nëse planeti ynë bëhet dy gradë celsius më i nxehtë nga se ishte në shekullin e 20, valët e të nxehtit, përmbytjet, mungesat në ushqim dhe zhdukja e kafshëve do të bëheshin të zakonshme.
Të mos bësh asgjë do të ishte thjesht e pamatur, duke demonstruar një indiferencë ekstreme jo vetëm për jetën njerëzore, por për gjithë jetën në Tokë.
Madje, ju mund ta quani atë, vrasje të shkallës së dytë. Disa ide që janë parashtruar për ftohjen e planetit përfshijnë një çadër gjigante hapësinore për të mbrojtur Tokën nga Dielli, ose një pasqyrë gjigante hapësinore për të pasqyruar rrezet e Diellit përsëri në hapësirë.
Megjithatë, zgjidhjen mund ta kemi në Tokë: ne kemi tashmë pemë që thithin emetimet e dëmshme të karbonit që ngrohin planetin tonë, ndërsa gjithashtu lëshojnë oksigjen në mënyrë që ne mund të marrim frymë. Problemi është se ne thjesht nuk kemi mjaft prej tyre për ta bërë këtë punë.
Bota aktualisht është shtëpi për afro 3 trilionë pemë, por ne humbim rreth 10 miliardë prej tyre çdo vit. Siç e dini, ne jemi bërë më të efektshëm në zhdukjen e pyjeve sesa në rimbjelljen e tyre.
Si pasojë, 20% e emetimeve të gazit serrë të planetit shkaktohen nga shpyllëzimi, krahasuar me 14% nga transporti. Nëse do të mbillnim një trilion pemë, mund të asgjësojmë emetimet e një dekade, kohë për të cilën, kemi shumë nevojë. Megjithatë, kjo do të kërkojë një përpjekje ndërkombëtare për të realizuar këtë qëllim.
Nëse çdo njeri në tokë mbjellë nga 150 pemë, ne mund të përmbushnim qëllimin tonë të mbjelljes së 1 trilion pemë e mjaft lehtë. Sigurisht, kjo nuk është shumë realiste për fat të keq.
Ndërsa mbjellësit e pemëve në botë punojnë gjatë, në ditë të vështira për të mbushur këtë boshllëk, nuk ka mjaftueshëm prej tyre për ta kryer punën në kohë.
Një studim në Universitetin Yale arriti në përfundimin se nëse vazhdojmë shkallën aktuale të shpyllëzimit pa mbjellë më shumë pemë, planeti ynë do të jetë plotësisht pa pemë, brenda 300 viteve. Tashmë, është llogaritur se bota ka humbur gjysmën e pemëve të saj që nga Epoka e Akullit.
Para se të rishikojmë idenë e ombrellës hapësinore, le të shqyrtojmë disa nga opsionet më të mundshme që janë në tryezë. Dronët për mbjelljen e pemëve, për shembull, mund të mbjellin deri në 100 mijë në ditë. Ndërsa shumë studentë marrin mbjelljen e pemëve, si një punë fitimprurëse të verës, ata më inovatorë kanë gjetur mënyra të tjera për të fituar para.
“Ne nuk po ju themi që të kompensoni emetimet tuaja, duke paguar dikë tjetër për të mbjellë pemë në vende si Afrika, ndërsa në të njëjtën kohë pyjet si në Amazona po masakrohen me një normë shumë më të lartë. Mbjellja e pemëve është e mirë, natyrisht, por nuk është askund afër sa duhet, dhe nuk mund të zëvendësojë rigjenerimin e natyrës”, ka thënë Greta Thunberg, aktiviste për mjedisin.
Tani, duket se është koha për të nxjerrë armët e mëdha në këtë betejë për planetin tonë.
Etiopia është një ndër shtetet e pakta për t’u marrë shembull: në harkun kohor të 12 orëve janë mbjellë 350 milionë pemë. Ju mendoni se mund ta thyeni këtë rekord botëror dhe kujtoni se nëse e bëni, po mbroni mjedisin dhe pasardhësit tuaj... (A2 Televizion)