Nga Londra, për ski në Shishtavec… fshati i harruar tenton të ruajë traditën

Në kushtet e një braktisjeje masive nga të rinjtë dhe nga ana tjetër, mungesës së vëmendjes dhe investimeve nga autoritetet shtetërore, Shishtaveci në rrethin e Kukësit po përpiqet të rikthejë vëmendjen dhe vizitorët duke mbajtur gjallë kampionatin lokal të skive.

Rreth 50 sportistë të rinj garuan në këtë kampionat, i cili ka një traditë të hershme në këtë zonë, duke zbuluar edhe talente. Pjesëmarrësit, të ardhur edhe nga Londra, apeluan për mosbraktisjen e Shishtavecit dhe mos harresën nga shteti.

“Jetoj në Londër prej 22 vitesh. Kam lindur në Shishtavec dhe kam ardhur nga Londra apostafat për të ndihmuar këtë komunitet, ato pak të rinj që kanë mbetur. I kemi mundësitë të shkojmë në Zvicër apo Francë, por këtu ndihemi shumë mirë”, shprehet një emigrant.

Nga ana tjetër, skiatorët kërkojnë nga Ministria e Arsimit dhe Sportit që të kthejë vëmendjen ndaj këtij sporti.