Të gjithë të lumtur kur nga çezma del verë në vend të ujit – A2

Të gjithë të lumtur kur nga çezma del verë në vend të ujit

A nuk do të ishte ideale sikur në rubinetin e shtëpisë suaj të dilte verë në vend të ujit? Për pak orë, në një qytet të vogël në Itali ndodhi pikërisht kjo.

Ngjarja raportohet të ketë ndodhur të mërkurën, në Kastelvetro pranë Modenës. Për shkak të një defekti në një punishte vere rreth 1000 litra që ishin gati për t’u ndarë në shishe, përfunduan në tubacionet e ujit të pijshëm.

Defekti zgjati për 3 orë dhe prej tij u prekën 20 shtëpi, thanë autoritetet lokale. Incidenti, i cili nuk kishte asnjë rrezik për shëndetin e banorëve, shkaktoi pak humor në një qytezë që është në mes të krizës së koronavirusit dhe të dielën u përfshi në zonën e karantinës gjigante nga qeveria italiane.

“Në një kohë kur nuk kemi për çfarë të qeshim, jam e lumtur që njerëzit patën një çast të tillë”, tha për CNN nënkryetarja e bashkisë, Giorgia Mezzacqui. Fabrizio Amorotti, menaxher i punishtes “Cantina Settecani”, tha se incidenti u mirëprit nga shumë të prekur. “Na morën në telefon dhe na thanë se do ta fusnin në shishe verën”, tha ai.

Kastelvetro, në zemër të krahinës Emilia Romanja, është normalisht një destinacion turistik i famshëm për ushqimet tradicionale dhe verën. Por që prej përhapjes masive të koronavirusit në zonë, rreth 80% e infrastrukturës turistike është pezulluar.