Emergjenca e Covid-19, anulohen rezervimet turistike për marsin e prillin

Operatorët turistikë të jugut të vendit, por edhe më gjerë kanë paralajmëruar një situatë të vështirë të bizneseve që merren me turizmin këtë sezon. Shkak i situatës është përhapja e koronavirusit thuajse në të gjithë Evropën.

Ata kanë zhvilluar një takim me prefektin e Vlorës, të cilit i kanë parashtruar faktin e anulimit të qindra rezervimeve që ishin bërë nga turistë të huaj, kryesisht nga Italia.  

“Ne jemi të alarmuar pasi po marrim e-mail pa fund për anulimin e rezervimeve të shumta për sezonin e mesëm dhe nuk janë pak, por janë me mijëra. Po ashtu dhe agjencitë turistike janë stopuar sepse është stopuar nga Italia dhe ju e dini që Vlora, turistët e sezonit të mesëm dhe të lartë i ka pikërisht nga ky vend”, u shpreh Vasil Bedinaj, Kryetar i Operatorëve Turistikë të Jugut.

Për situatën e krijuar, prefekti Mamaj, tha se takimi me operatorët turistikë dhe hotelierë ka për qëllim akordimin, për menaxhimin e situatës në rast të anulimeve, si pasojë e koronavirusit. Gjithsesi për momentin prefekti nuk ofroi asgjë konkrete.

“Unë për momentin nuk mund t’ju them ndonjë gjë të veçantë, por mund të diskutojmë për shumë çështje që kanë të bëjnë për ndërtimin e strategjinë e bashkëpunimit në kushtet e kësaj emergjence botërore”, deklaroi Prefekti Flamur Mamaj.

Operatorët turistikë apelojnë që nëse situata do të vazhdojë gjatë e tillë, atëherë Ministria e Financave duhet të lehtësojë barrën fiskale për ta.