Koronavirusi, fasonët gjunjëzohen, bien porositë

Epidemia e koronavirusit ka prekur të gjithë zinxhirin e prodhimit dhe shitjeve të bizneseve fason në Shqipëri. Nga fabrikat e lëndëve të para në Kinë, te partnerët në Itali, e deri te rënia drastike e blerjeve në dyqane nga konsumatorët. Sipas sipërmarrëses Donika Mici, kriza goditi në momentin më kritik industrinë e veshjeve dhe këpucëve.

“Ishim pikërisht në sezonin që prisnin urdhrat për të na ardhur. Klientët italianë janë totalisht të stopuar, mbahemi vetëm me ata spanjollë sepse në Spanjë nuk është përhapur akoma ky virus i madh. Ne kemi siguruar vetëm 20 ditë punë nga muaji mars, ndërkohë që një vit më parë kishim siguruar punë deri në muajin korrik”, shprehet Donika Mici.

Bizneset kanë marrë masa mbrojtëse në ambientet e punës, por me përhapjen e koronavirusit edhe në vendin tonë, është krijuar një situatë jo e qetë që mund të ndikojë te fuqia punëtore.

“Edhe punëtorët në biznes e kanë ndjerë frikën, njerëzit janë jashtëzakonisht nervozë dhe të stresuar nuk dinë se ku do të sistemojnë fëmijët. Dhe në qoftë se kjo situatë do të vazhdojë do të kemi dhe një humbje të fuqisë punëtore”, shton Mici.

Teksa shtetet e tjera janë duke marrë masa për të mbrojtur industritë e tyre nga goditje të tilla, edhe fasonët propozojnë një mbledhje për të diskutuar hapat e nevojshëm.

“Mbasi kaluam një krizë, koronavirusi duhet të na gjunëzojë. Duhet të mblidhemi si shoqatë dhe të ulemi të bisedojmë me qeverisë për kalimin e kësaj situate”, përfundoi Mici.

Ky vit shihej nga industria e veshjeve dhe këpucëve si një mundësi për të negociuar kontrata të reja më të shtrenjta, për të tejkaluar rënien e euros. Megjithatë, situata aktuale premton një tjetër vit të vështirë.