Maskat/ Rama: Data e skadencës nuk ka lidhje me përdorimin; Basha: Më në fund, e pranoi të vërtetën

rama basha 1100x620

Kryeministri Edi Rama sqaroi edhe një herë çështjen e datës së skadencës së maskave, për të cilat Partia Demokratike tha se janë të skaduara.

“Jeni gabim sepse edhe sikur të kishit konstatuar vërtetë një problem, që nuk është fare problem siç tregon certifikata, që vjen nga autoritetet kompetente në Kanada, sepse nuk vijnë dot nga Kanadaja pajisje mjekësore që nuk mund të përdoren. Rrëmoni si minj për të nxjerrë të paqena dhe i hidhni njerëzve helm në gjakun e trazuar. Certifikata e bën të qartë se ajo data e skadencës nuk ka lidhje fare me përdorimin e tyre dhe për më tepër jep të dhëna shumë specifike mbi përshkrimin dhe efikasitetin e tyre. Ne këto nuk i çuam në sallat e kirurgjisë, ku këto maska përdoren kur janë në efikasitet të plotë dhe megjithëse parametrat i kanë si përqindje të reduktimit të efektit 99%, prapë nuk i kemi çuar atje, por për përdorim të përditshëm”, tha Rama.

I menjëhershëm reagimi i Lulzim Bashës: “Më në fund e pranoi të vërtetën. Maskat janë të skaduara. Si të tilla ato nuk mund të jenë masë mbrojtëse për personelin mjekësor. Edi Rama mblidh mendjen dhe siguro jetën e qytetarëve! Lëri lojrat e fjalëve dhe  fokusohu te problemi kryesor që kanë sot shqiptarët. Nuk jemi në luftë, jemi në situatë emergjence që kërkon seriozitet dhe përgjegjshmëri. Dhe jo shfaqje me maska të skaduara mbi fytyra të skaduara”.