Mbyllet Klinika e Sëmundjes së Lëkurës në Shkup, drejtoresha e prekur me Covid-19 – A2

Mbyllet Klinika e Sëmundjes së Lëkurës në Shkup, drejtoresha e prekur me Covid-19

maqedoniaa 1100x620

Shkon në 7 numri i personave të prekur nga koronavirusi në Maqedoninë e Veriut. Tre raste të reja të prekura nga virusi me origjinë nga Kina janë familjarë të çiftit nga Dibra, ndërsa personi i katërt është drejtoresha e Klinikës për Sëmundje të Lëkurës, Nina Caca Biljanovska.

Mjekja Biljanovska u kthye para një jave nga Italia dhe nuk u kontrollua, madje në ditët në vijim ka shkuar normalisht në punë. Raportohet se gjatë fundjavës ajo ka mbajtur dhe një ligjëratë shkencore në një takim të dermatologëve, ku ishin të pranishëm mbi 100 persona.

Për këtë arsye janë vetëkarantinuar në shtëpitë e tyre 64 punonjës të Klinikës së Sëmundjeve të Lëkurës që kanë pasur kontakte me drejtoreshën Biljanovska dhe 13 pacientë të trajtuar prej saj në javën e fundit.

Autoritetet kanë vendosur që klinika të qëndrojë e mbyllur 14 ditë, ndërsa drejtoresha do të pezullohet sepse nuk u paraqit për t’u kontrolluar pasi u kthye nga Italia.