Në Evropë anulohen eventet, por në Britani pritet që 260 mijë veta të mblidhen për garën e kuajve

Koronavirusi po përhapet kudo në Evropë, duke anuluar ose zhvilluar me dyer të mbyllura pjesën më të madhe të eventeve masive, ne veçanti ato sportive.

Megjithatë mesa duket për qeverinë angleze, tradita shkon përtej edhe panikut nga infeksioni.

Organizatorët e festivalit historik të kuajve në Cheltenham kanë deklaruar se në bashkëpunim me udhëzimet e Qeverisë britanike, do të vijojnë normalisht programin e tyre katër ditorë, ku pritet të mësyjnë nga e gjithë Mbretëria e Bashkuar rreth 260 mijë persona, 70 mijë vetëm në ditën e parë, që do të ndjekin garën e kuajve të ideuar në vitin 1860.

Sipas ministrit të Kulturës Oliver Dowden, “ne jemi të udhëhequr nga faktet dhe të dhënat. Në këtë moment vlerësojmë se nuk ka arsye të anulojmë një event të tillë”.

Nga vendet e mëdha evropiane, Britania e Madhe ka qenë relativisht e prekur, me 373 raste dhe 6 të vdekur si pasojë e koronavirusit, dhe vendi ende nuk ndodhet në emergjencë si vende të tjera, Italia apo Franca, si dhe nuk janë marrë ende masa po aq të rrepta.  

Janë të shumtë nga bota shkencore që po protestojnë për këtë vendim, duke quajtur garën si një “bombë” e gatshme për të shpërthyer, si dhe “një nga vendimet më të të papërgjegjshme të qeverisë britanike në dekadat e fundit”.