Masat kundër COVID-19, pas shkollave do të dezinfektohen ambientet publike

Pas konstatimit të rasteve me koronavirus në vendin tonë, thuajse në të gjitha rrethet ka nisur dezinfektimi i ambienteve publike. Kështu godinat e shkollave, kopshteve dhe çerdheve kanë qenë të parat që i janë nënshtruar dezinfektimit.

Megjithatë, shumë bashki e kanë anuluar këtë urdhër duke qenë se këto ambiente e kanë të pezulluar aktivitetin. Për këtë arsye i është dhënë prioritet dezinfektimit të ambienteve publike që janë në shërbim të qytetarëve, si postat, zyrat e OSHEE-së dhe ato të ujësjellësit, të cilat gjatë ditës së martë nuk kanë marrë asnjë masë mbrojtëse dhe aq më pak dezinfektuese.

Ndërkohë spitalet rajonale në rrethe kanë ndërprerë çdo komunikim me gazetarët duke e centralizuar dhënien e informacionit vetëm tek Task Forca qendrore që është ngritur për këtë qëllim. Edhe pse informacionet flasin se urgjencat në rrethe kanë pasur shtim të fluksit të vizitave pas publikimit të rasteve të para me koronavirus, një fakt i tillë as nuk pohohet dhe as nuk mohohet nga drejtoritë e spitaleve në rrethe.