Adrian “shkurorëzon” Liverpoolin

Atletico Madrid arriti që të eleminojë nga Champions League kampionët në fuqi të këtij kompeticioni, Liverpool, edhe pse “The Reds” përmbysën humbjen e ndeshjes së parë në Spanjë.

Pasi fituan 1-0 (goli i Wijnaldum në minutën e 43-të) në 90 minutat e lojës, duke barazuar eleminatoren, ekipi i drejtuar nga Jurgen Klopp shënoi edhe golin e dytë në pjesën e parë të shtesës me anë të Firminos.

Por, pas këtij momenti, gjithçka e ndërtuar me mund u shkatërrua nga Adrian. Portieri i dytë i Liverpool gaboi në pasim duke i dorëzuar topin Atleticos, që arriti të shënonte me një gjuajtje nga jashtë zone të Llorente. Edhe në rastin e goditjes, Adrian mund dhe duhet të kishte bërë më shumë.

Atletico arriti të barazonte gjithçka në pjesën e parë të shtesës me një goditje sërish nga jashtë zone dhe sërish nga Llorente, i cili duket se kishte gjetur mënyrën për të gjunjëzuar kampionët në fuqi të Evropës: thjesht duke goditur në portë.

Në pjesën e dytë të shtesës Liverpoolit i nevojiteshin dy gola për të kaluar më tej, por ishte Atletico që shënoi edhe golin e tretë me anë të Morata.