Asnjë rast i konfirmuar me koronavirus, por Kosova merr masat

Nuk ka asnjë rast të konfirmuar, por Kosova është përgatitur për emergjencën e koronavirusit. Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti aprovoi 11 masa që shërbejnë për të parandaluar përhapjen e Covid-19.

Vendimi është marrë në mbledhjen e fundit të ekzekutivit dhe përmbajtjen e tij e bëri të ditur kryeministri Kurti gjatë një konference për media: “Ndërprerja e procesit edukativo-arsimor në institucionet arsimore publike dhe private në të gjitha nivelet deri në 27 mars 2020. Me rekomandim që të lirohet njëri prind nga puna, kjo masë nuk vlen për punëtorët shëndetësorë dhe për punëtorët në sektorin e sigurisë. Pezullimi i përkohshëm i linjave të udhëtimit ajror dhe tokësor nga vendet me risk të lartë dhe të mesëm, deri në një vendim tjetër. Kontroll i obliguar i udhëtarëve nga ekipet mjekësore të QKMF-ve në të gjitha hyrje-daljet e Kosovës me mbështetjen e Policisë së Kosovës të të gjithë qytetarëve që vijnë nga zonat epidemike, për detektimin e rasteve me COVID-19 dhe ndërmarrjen e masave parandaluese. Vetëkarantinim i detyruar për të gjithë qytetarët që hyjnë në Republikën e Kosovës nga zonat epidemike me rrezik të lartë dhe të mesëm, në përputhje me udhëzimet e OBSH-së”.

Kurti paralajmëroi pasoja për ata që nuk i përmbahen këtyre masave: “Sa i përket eventeve sportive, tubimeve, koncerteve dhe konferencave, ato do të zhvillohen me dyer të mbyllura, pa praninë e spektatorëve. Ndërkohë, restorantet, baret, palestrat, pishinat dhe klubet e natës duhet të ndalojnë veprimtarinë pas orës 23:00”.

Qeveria e Kosovës u bëri thirrje qytetarëve për qetësi, duke nënvizuar se nuk ka vend për panik, ndërsa ka vendosur në gatishmëri Forcat e Sigurisë.