Ndërhyn OBSH, Euro 2020 rrezikon të mos zhvillohet

Eurookkkk 1100x620

Në pikun e emergjencës shëndetësore, prej përhapjes me ritme alarmante të koronavirus, UEFA po bën të pamundurën që të shpëtojë Evropianin e vitit 2020 dhe të konfirmojë zhvillimin e turneut, në datat e përcaktuara.

Megjithatë, situata në rang global, rrezikon seriozisht që eventi më i rëndësishëm kontinental të mos zhvillohet. Ose minimalisht të ndryshojë plotësisht planet e UEFA-s. Për ta komplikuar këtë çështje ka ndërhyrë edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, që shpalli gjendjen e pandemisë botërore.

Pas alarmit, përfaqësuesit e OBSH-së kontaktuan UEFA-n, për të diskutuar rreth hapave që mund të ndiqen. Problematika bëhet më serioze, edhe prej faktit se për herë të parë në histori, ky edicion i Kampionatit Evropian do të luhet në disa shtete.

Një telash jo i vogël, pasi COVID-19, tashmë, ka prekur shumë shtete evropiane, duke bërë që UEFA të përballet me kalendarët që po ndryshojnë thuajse në të gjitha ligat, ndërsa drejt bllokimit janë edhe dy evenimentet më të rëndësishëm për klube, Champions dhe Europa League.

Për herë të fundit, një turne madhor është shtyrë në Luftën e Dytë Botërore. Pas Kupës së Botës 1938, eventi i radhës u zhvilluar në distancën e 12 viteve, më 1950-ën. Nëse Euro 2020 nuk zhvillohet sipas parashikimeve, gjetja e një date do të jetë tejet e vështirë, pasi kalendari është i mbushur me evente deri në nëntor të vitit 2022, kur do të zhvillohet Botërori në Katar.