Sondazh: Si e gjykoni vendimin, që të përjashtohen policët që kanë përdorur “Sky” apo “Enchrochat”?
  • Të panevojshëm 15%
  • Të drejtë 27%
  • Të vonuar 58%

OKB në Shqipëri: Veprimi i shpejtë për të ndryshuar sjellje ka rezultuar i efektshëm

Nga A2 CNN
12 Mars 2020, 13:26 | Aktualitet
OKB në Shqipëri: Veprimi i shpejtë për të ndryshuar

Organizata e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri vlerësoi reagimin e shpejtë të Qeverisë pas konfirmimit të rasteve të COVID-19 dhe tha se mbështet plotësisht përpjekjen e saj për të maksimizuar “distancimin shoqëror” përfshirë mbylljen e shkollave, reduktimin e mbledhjeve dhe grumbullimeve publike dhe përpjekjet për të kërkuar/nxitur të punuarit nga shtëpia (ose telekomunikimin).

“Të vepruarit shpejt për të ndryshuar mënyrën e sjelljes të të gjithë qytetarëve për të zvogëluar kontaktin dhe transmetimin e virusit ka rezultuar një veprim i efektshëm në vende e tjera për të ngadalësuar transmetimin dhe ulur kurbën e epidemisë. Kjo masë ka efekte pozitive për të shmangur mbingarkesën e sistemit shëndetësor”, thotë OKB në Shqipëri, përmes një deklarate për mediat.

OKB përsëriti thirrjen e saj për të gjithë qytetarët në Shqipëri që të ndjekin udhëzimet e autoriteteve, veçanërisht për të qëndruar në shtëpi dhe thirrjen e numrit të emergjencës mjekësore 127 në rast të ndonjë simptome apo edhe ndonjë dyshimi të simptomave, si dhe nxiti autoritetet që të kryejnë testime në masën më të gjerë që është e mundshme në mënyrë që të identifikohet më mirë shpërndarja e virusit për të mundësuar një reagim të zgjuar.

“Në mbështetje të këtyre masave të marra nga Qeveria, dhe në përpjekje për të maksimizuar sigurinë e personelit të OKB dhe familjeve të tyre, OKB Shqipëri po aplikon forma alternative të punës duke zvogëluar dukshëm kontaktet ballë për ballë. Këto masa hyjnë në fuqi menjëherë dhe për një periudhë paraprake deri më 23 mars 2020. Gjatë marrjes së këtyre masave, OKB do të sigurojë vazhdimin e dhënies së mbështetjes kritike të ofruar nga programet e saj me ndikim në grupet e cenueshme të popullsisë për të cilat çdo vonesë mund të ketë pasoja të papranueshme. OKB në Shqipëri dëshiron të theksojë detyrimin moral të gjithsecilit për të treguar respektin më të lartë për të gjithë miqtë, fqinjët, bashkë-banorët dhe familjet e tyre gjatë kësaj krize. Empatia dhe sensi i ndarjes së një qëllimi të përbashkët do të ndihmojnë reagimin ndaj situatës; nga ana tjetër, faktet tregojnë qartë se stigma dhe frika prej sëmundjeve ngjitëse pengojnë reagimin. Një vlerësim i veçantë u kushtohet atyre autoriteteve që jo vetëm vazhdojnë të punojnë, por janë në krye të punëve të një rëndësie të madhe gjatë kësaj situate - veçanërisht profesionistët shëndetësorë, punonjësit e policisë dhe zyrtarët e kufirit, autoritetet lokale dhe të tjerë që vazhdojnë të jenë në dispozicion dhe ofrojnë shërbime për shqiptarët. OKB është e gatshme të sigurojë çdo mbështetje të mëtejshme që mund të kërkohet”.

Ditari A2 CNN