Historitë e pandemive globale, e prekur dhe Shqipëria

Situata që po përjetojmë me koronavirusin nuk është e panjohur për historinë njerëzore. E shkuara numëron 6 pandemi globale me përmasa dramatike për njerëzimin.

E para e dokumentuar është murtaja e Athinës, në vitet 400 para Krishtit, gjatë Luftës së Peloponezit. Zgjati 4 vite dhe vrau një të katërtën e popullsisë. Rreth 500 vjet më pas, një tjetër murtajë preku botën, në vitet 165-180 pas Krishtit. Për pak shkatërroi Perandorinë Romake dhe vrau rreth pesë milionë njerëz.

Antonina ishte një pandemimë e vogël, e sjellë në Itali nga ushtria që kthehej nga luftërat në Azi.

Murtaja e Justinianit nisi në vitin 541 në Etiopi dhe Egjipt, duke u përhapur në Turqi dhe Europë për 209 vite rresht. Sipas kronikanëve, shënoi 10 mijë viktima brenda ditës vetëm në Kostandinopojë.

Pati disa rikthime, më i madhi nisi në Francë dhe shënoi 25 milionë të vdekur. Vdekja e Zezë që shkaktoi 75 milionë të vdekur nisi nga Azia në 1331 e vazhdoi në Europë. Cikli i saj i parë zgjati mbi 20 vjet. U rikthye herë pas here ndër shekuj duke vrarë rreth 137 milionë njerëz.

Nga kjo murtajë u prek dhe Shqipëria. Historiani Etnor Canaj, në lidhje me studion e A2, dha detaje të secilës prej këtyre pandemive dhe kryesisht Vdekjes së Zezë që shfarosi qytetet në jug të Shqipërisë.

Në kohërat moderne ishin 2 pandemitë që përmenden. Gripi spanjoll, në 1918-1920, preku disa shtete në Europë, SHBA e Afrikë. Shkaktoi 500 milionë infeksione dhe mbi 25 milionë vdekje, më shumë se Lufta e Parë Botërore. Në1957, gripi aziatik, shkaktuar nga H2N2, vrau rreth 2 milionë njerëz. U mposht pasi iu shpik vaksina.