Trajneri i Arsenal dhe lojtari i Chelsea preken nga Covid-19

arteta virus 1100x620

Trajneri i ekipit të Arsenalit, Mikel Arteta dhe lojtari i Chelsea, Callum Hudson-Odoi kanë rezultuar të prekur me virusin Covid-19, disa orë pasi drejtuesit e Premier Leagues deklaruan se kampionati do të vijojë me ndeshjet e parashikuara gjatë kësaj fundjave.

37-vjeçari Arteta konfirmohet si anëtari i parë i stafit të një klubi të Premier League që është prekur nga sëmundja e koronavirusit, e cila së fundmi është shpallur si pandemi nga Organizata Botërore e Shëndetit.

Lajmi për prekjen e Artetas nga kjo sëmundje erdhi vetëm një orë pas vendit të Premier Leagues për të vijuar kampionatin si normalisht edhe pse shumë vende të botës kanë marrë masa drastike për shkak të virusit me origjinë nga Kina.

Tani, ai dhe e gjithë skuadra dhe stafi teknik do të vendosen në vetëkarantinim, siç parashikohet në protokollet për të tilla raste.

Disa orë më pas edhe klubi londinez i Chelsea doli me një njoftim për shtyp ku bëri me dije se lojtari Hudson-Odoi rezultoi pozitiv me Covid-19 dhe për këtë arsye ambientet ku zhvillon stërvitjen klubi do të mbyllen pjesërisht. Gjithashtu do të vetizolohen dhe anëtarët e stafit që kanë patur kontakt të ngushtë me lojtarin 19 vjeçar.

Pas këtyre zhvillimeve të fundit Premier League do të zhvillojë një konferencë të jashtëzakonshme ku do të vendosë se si do të vijohet me pjesën e mbetur të sezonit.