Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 67%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 0%

Koronavirusi, "Marca": Ronaldo transformon hotelet e tij në spitale, stafi përgënjeshtron lajmin

Nga A2 CNN
15 Mars 2020, 10:57 | Futboll

Edhe me futbollin e ndaluar, Cristiano Ronaldo arrin të bëhet sërish protagonist. Këtë hërë, CR7 ka bërë një gjest të shkëlqyer jashtë fushe.

E përditshmja spanjolle “Marca” raportoi se Ronaldo do të shndërrojë në spitale për të prekurin nga koronavirus të gjithë rrjetin e hoteleve që ai zotëron.

Ronaldo, gjithashtu, do të paguajë mjekët dhe të gjithë strukturat e tjera, duke i ardhur në ndihmë sistemit shëndetësor në Portugali në këtë moment jashtëzakonisht të vështirë.

Lajmi më pas u përgënjeshtrua nga stafi i hotelit të CR7 në Lisbonë, ndërsa vetë lojtari nuk është shprehur kurrë personalisht për këtë nismë.

“Ne jemi hotel. Nuk do të kthehemi në spital. Është një ditë si gjithë të tjerat dhe ne mbetemi një hotel”, tha një zëdhënës i hotelit në pronësi të Ronaldos për mediat, duke shtuar se nuk kishte fare informacion për këtë transformim.

Edhe pse raste të personave të infektuar me koronavirus janë shfaqur edhe në Portugali, shifrat për momentin janë shumë më të ulëta se në shtetet e tjera europiane dhe nuk ka asnjë plan, të paktën për momentin, për masa shtrënguese.

Përveç hotelit në Lisbonë, Ronaldo ka në pronësi edhe një tjetër hotel në Funchal, vendlindjen e tij, si dhe pritet që shumë shpejt, një hotel i tretë të hapet në Marrakesh.

Ndërkohë, Cristiano Ronaldo është vetë-karantinuar në Portugali, ku kishte udhëtuar për të takuar të ëmën, por mësoi se shoku i tij i skuadrës Daniele Rugani kishte rezultuar pozitiv ndaj testeve të koronavirusit. Vetë sulmuesi portugez deklaroi se testet ndaj tij kanë rezultuar negative, por për sigurinë e tij dhe familjarëve të tij, do të qëndrojë disa ditë në Madeira, deri në një moment të dytë, kur të jenë gati kushtet për t’u rikthyer në Torino.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani