Koronavirusi në Shqipëri, Rama reagon pas 8 propozimeve të PD: Plani 7×7=42, maskaradë

Edi Rama Koronavirusi 1100x620

Pasditen e së dielës, kryetari i PD, Lulzim Basha, bëri 8 propozime, të cilat sipas tij duhet të përfshihen në planin e masave të marra nga qeveria shqiptare për frenimin e përhapjes së koronavirusit.

Nuk ka vonuar edhe reagimi i kryeministrit Rama, i cili e cilëson këtë një maskaradë.

“Ky plani 7×7=42 qenka lule korone! Me këtë i bie t’ia bluajmë vetë kockën vendit dhe t’u hamë fëmijëve gjithçka, më shpejt se sa vetë korona synon t’u marrë frymën më të moshuarve! Hajde plan hajde! Nuk thonë kot vesi del me shpirtin, s’ka koronë që e nxjerr! pffff…ç’maskaradë!”, mbyller reagimi i Ramës në Twitter.

“Sot ekonomia shqiptare ka nevojë për garanci dhe mbështetje! Qeveria shqiptare duhet të ndërmarrë urgjentisht masa të forta dhe të shpejta për të kompensuar impaktin negativ të koronavirusit në ekonominë tonë. Ne duhet t’i paraprijmë patjetër kësaj krize, dhe jo ta ndjekim pas, në të kundërt do rrezikojmë shumë. Në çdo vend të prekur nga koronavirusi, paralelisht me masat ekstreme për të parandaluar përhapjen, janë përcaktuar edhe masa të forta mbështetëse, financiare dhe fiskale, për qytetarët dhe për bizneset”, tha ndër të tjera Basha.