Koronavirusi nuk i tremb, mijëra vetë garojnë në maratona – A2

Koronavirusi nuk i tremb, mijëra vetë garojnë në maratona

Edhe pse Britania e Madhe është prekur nga koronavirusi i ri Covid-19, mijëra vetë nuk ngurruan të merrnin pjesë në gara vrapimi të organizuara në Liverpul dhe Bath. Rreth 6000 vetë morën pjesë në gjysmëmaratonën e Liverpulit, edhe pse 14 persona janë diagnostikuar me koronavirus në të gjithë krahinën, 8 në qytet.

Në jug të vendit, në qytezën Bath, 12 mijë vetë morën pjesë në gjysmëmaratonën, pavarësisht thirrjeve të shumta edhe nga politikanë vendas që të anulohej.

Pavarësisht se një pjesë e mirë e garuesve në të dy gjysmëmaratonat mbanin maska, grumbullimi masiv i njerëzve ndihmon në përhapjen e koronavirusit, diçka që duket se nuk i ka shqetësuar britanikët.

Megjithatë, Maratona e Londrës, që është edhe më e madhja në botë dhe ku marrin pjesë 45 mijë persona nga e gjithë bota, është shtyrë dhe do të zhvillohet në 4 tetor. Edhe maratona e Mançesterit, e dytë më e madhe në vend, është shtyrë pasi organizatorët i druheshin përhapjes së virusit pandemik.