Situata nga koronavirusi, Basha: Të merren masa për familjet në nevojë, qeveria të sigurojë tamponë

Lulzim Basha Selia e PD Koronavirusi 1100x620

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i kërkoi edhe njëherë qeverisë të jetë transparente për të përballuar situatën e pazakontë të krijuar nga koronavirusi.

Kreu i demokratëve u shpreh se qytetarët janë të shqetësuar mbi mungesën e tamponëve për të kryer analizat dhe për këtë arsye qeveria duhet të marrë masa pasi në të kundërt kjo situatë do të kushtojë shumë.

“Shumë qytetarë kanë shprehur shqetësim mbi  mungesën e tamponeve të testit për COVID 19. Është urgjente dhe e rëndësishme blerja e menjëhershme e një sasie të mjaftueshme tamponësh me të cilët kryhen testet që saktësojnë nëse je apo jo bartës i COVID 19. Sa më shpejt të identifikohen të prekurit, aq më shpejt mundësohet izolimi dhe trajtimi i tyre duke minimizuar përhapjen e mëtejshme të virusit. Çdo vonesë në sigurimin e një numri më të madh tamponësh testimi do të na kushtojë shumë”, shprehet Basha.

Gjithashtu Lulzim Basha kërkoi krijimin e ambienteve për trajtimin e personave të prekur dhe në spitalet e qyteteve të tjera të vendit.

“Duhen krijuar ambjente të posaçme trajtimi për personat e prekur me COVID 19 edhe në qytete të tjera të vendit ku numri i të prekurve sa vjen e rritet. Të prekurit nga virusi nuk kanë pse të përplasen të gjithë në Tiranë kur mund tu krijohet mundësia të trajtohen në ambjente të ngritura në qendrat e  qarqeve. Neglizhenca në marrjen e masave të menjëhershme për shtimin e pajisjeve dhe rritjen e kapaciteve të ambjenteve spitalore dedikuar trajtimit të personave me COVID 19 mund të ketë pasoja shumë të rënda”, shtoi Basha.

Më tej, kreu i PD i bëri thirrje qeverisë të marrë masa për familjet në nevojë pasi situata mund të zgjasë dhe shumë prej tyre nuk mund ta përballojnë jetesën nëse qëndrojnë të izoluar në banesë.

“Qeveria duhe të marrë masa urgjente të ndihmojë me ushqime dhe detergjentë familjet e varfra dhe ato në nevojë ekonomike. Çdo ditë që kalon e bën të vështirë dhe të pamundur që një pjesë e konsiderueshme e bashkëqytetarëve të përballojnë mbijetesën. Të gjitha vendet e prekura nga COVID 19 veç masave për parandalimin e përhapjes së virusit, kanë ndërmarrë hapa konkretë për të ndihmuar financiarisht qytetarët e izoluar në shtëpitë e tyre dhe bizneset që preken nga kjo situatë. Është koha që dhe qeveria shqiptare të veprojë për të ndihmuar familjet në nevojë”, përfundoi Basha.