51 të infektuar me koronavirus, mes tyre 1 mjek, 3 infermierë

Nga A2 CNN
16 Mars 2020, 11:35 | Aktualitet
51 të infektuar me koronavirus, mes tyre 1 mjek, 3 infermierë

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se, numri i personave të prekur nga koronavirusi në Shqipëri, ka shkuar në 51.

Në 24 orët e fundit janë testuar 31 persona të dyshuar, qytetarë dhe personel shëndetësor, prej të cilëve janë konfirmuar 9 raste të reja me COVID-19. Deri në këto momente janë testuar 563 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 51 raste:

Nga rastet e konfirmuara pozitivë:

  • Tiranë, 34 raste
  • Durrës, 5 raste (njëri prej të cilëve ka ndërruar jetë)
  • Lushnje, 2 raste
  • Elbasan, 2 raste
  • Fier, 6 raste
  • Rrogozhinë, 2 raste

Prej tyre:

20 janë të shtruar në spitalin infektiv (nga Tirana, Durrësi, Fieri, Lushnja dhe Rrogozhina).

Prej tyre janë në terapi intensive tre qytetarë, njëri prej të cilëve në respiracion të drejtuar.

Ndërsa pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente.

Në vijim të hetimit të hollësishëm epidemilologjik të filluar ditën e djeshme në spitalin “Shefqet Ndroqi”, kanë dalë pozitivë edhe 4 raste personel shëndetësor (një mjek dhe 3 infermierë), të cilët kanë qenë në kontakt me pacientin, i cili aktualisht po trajtohet në spitalin infektiv dhe që, më herët ka qenë i shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi”.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, nga gjurmimi i kryer, ky pacient është vizituar në spital nga një i afërm që vinte nga Italia, dhe që nuk e ka dhënë këtë informacion tek stafet mjekësore.

Personeli është në gjendje të mirë shëndetësore, pa simptoma dhe i vetëkarantinuar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos