Koronavirusi në Shqipëri/ Politikanët braktisin politikën, i rikthehen shëndetësisë

Klodiana Spahiu, Arben Kamani, Ilir Pendavinji dhe Edlira Bode ishin ndër të parët që iu përgjigjën thirrjes së ministres së Shëndetësisë, në 14 mars. Po ashtu, dhe deputetët mjekë të opozitës në Parlament.

Numri i bluzave të bardha jo aktive në sistemin tonë shëndetësor, që kanë bashkuar forcat në këtë përballje me koronavirusin, është mbi 2000.

Petrit Vasili tha: “Një njeri me eksperiencë i shëndetit publik është shumë i domosdoshëm për ato propozime konkrete që bën dhe unë nuk kam munguar me propozime”.

Një tjetër ish-ministër i Shëndetësisë, Vangjel Tavo i LSI-së, shprehet i gatshëm të rikthehet në pavion: “Ne mjekët kemi bërë betimin e Hipokratit dhe i përmbahemi atij. Jam në kontakt të vazhdueshëm me kolegët që përballen çdo ditë me këtë situatë. Jam i gatshëm të jap ndihmën time në përballjen me këtë pandemi të rrezikshme. Patjetër edhe duke dalë sërish aty ku do të nevojitet”. 

Kritikat janë të shumta për mënyrën si qeveria po lufton koronavirusin. Por, mjekët e PD-së vazhdojnë të jenë aktivë. Tritan Shehu tha: “Kam mbi dy muaj që po kontribuoj me ide konkrete. Gjithashtu, jam e do të jem i lidhur me shërbimin e reanimacionit, thelbësor ky, me kolegët e mi aty për të kontribuar në eficiencën e punës së tij”.

Flamur Noka shprehet: “Ne jemi në kontakt permanent me kolegët tanë dhe e kemi bërë këtë kur kryeministri tallej me thirrjet e alarmin tonë. Kjo është detyra jonë dhe e kemi bërë dhe e bëjmë pa propagandë e tam-tame, por me përkushtim të sinqertë. Përveç këshillave për të larë duart e për të bërë joga, çfarë masash ka marrë ai për sistemin shëndetësor? Zero. A e dini se sasia e tamponeve, aparateve respirative që janë gjendje është qesharake? Medikamentet antivirale që janë vërtetuar që japin efekt nuk ekzistojnë në listen e barnave në vendin tonë dhe Actemra dhe Remdesivir janë në sasi të papërfillshme në vendin tonë. Nuk luftohet Covid-19 me propaganda, por me masa konkrete dhe një sistem shëndetësor modern”. 

Shkëmbimet mes mjekësisë dhe politikës kanë qenë të shpeshta. Pas mbarimit të mandatit, shumë ish-deputetë i janë rikthyer prej vitesh profesionit të vjetër.