Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Koronavirusi/ Rreziku kryesor, të infektuarit pa simptoma

Nga A2 CNN
16 Mars 2020, 20:21 | Bota
Koronavirusi/ Rreziku kryesor, të infektuarit pa simptoma

Studimet në shtete të ndryshme dhe shpërthimi masiv i koronavirusit nga Kina në Evropë, e madje edhe në Shtetet e Bashkuara, ka ngritur pikëpyetje të mëdha për mënyrën se si Covid-19 përhapet.

Fillimisht, sipas zyrtarëve amerikanë, në përhapjen e virusit ndikonin përgjithësisht personat që kishin shfaqur simptoma, si temperaturë e lartë, kollë apo vështirësi me frymëmarrjen. Nëse kjo është 100% korrekte, ky do të ishte një lajm i mirë, sepse njerëzit e sëmurë mund të identifikohen dhe të izolohen, duke e bërë më të lehtë kontrollin e situatës. Megjithatë, këndvështrimi në Shtetet e Bashkuara ndryshoi pas rasteve me Masaçusets, ku në mbi 80 raste të konfirmuara, virusi u shpërnda nga njerëz të cilët nuk kishin shfaqur asnjë simptomë. Kjo ishte pikënisja e disa studimeve, të cilat tregojnë se në përhapjen e infektimit po ndikojnë personat që nuk kanë simptoma të koronavirusit.

Prej javësh, funksionarët federalë deklaronin se transmetimi i bakterit nga njerëzit pa simptoma mund të ndodhte, por deri më tani ata nuk ishin cilësuar si një faktor domethënës në përhapjen e virusit. Këtë e deklaroi edhe sekretarja amerikane e Shëndetit, Aleks Azar, në intervistën e dhënë në datën 1 mars për televizionin ABC. Sipas saj, “bartësit e virusit, por që nuk shfaqnin simptoma, nuk ishin burimi më i madh i përhapjes së koronavirusit”. 

“Realisht duhet të përqendrohemi tek individët që kanë shfaqur simptoma. Strategjia kundër përhapjes së virusit varet nga simptomat që paraqesin të prekurit”, thonte Azar.


Në të njëjtën linjë qëndronte edhe Qendra Amerikane e Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve. Në faqen zyrtare të këtij institucioni thuhej se “virusi është përhapur edhe nga persona që nuk kanë paraqitur simptoma dhe për këtë fakt ka patur disa raportime. Por, kjo nuk është rruga kryesore e përhapjes së Covid-19”.

Pas zbulimeve më të reja, sekretarja Azar dhe Qendra Amerikane e Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve nuk iu përgjigjën kërkesës së CNN për të komentuar. Qëndrimi ndryshoi disi, gjatë një konference të shkurtër për shtyp, të zhvilluar të shtunën e kaluar në Shtëpinë e Bardhë. Koordinatorja e administratës kundër koronavirusit, doktoreshë Debora Briks, deklaroi se situata me njerëzit e prekur, por që nuk kanë shfaqur simptoma, mbetet për t’u kuptuar: “Derisa të kuptojmë sa njerëz nuk shfaqin simptoma dhe nëse virusi mund të transmetohet prej tyre, mendojmë se më e mira për të gjithë popullin amerikan është që të kuptojnë se pavarësisht mungesës së simptomave, ata mund të përbëjnë rrezik për ta transmetuar virusin te të tjerët. Prandaj, i kërkojmë çdo amerikani të marrë përgjegjësi personale për të parandaluar përhapjen”.


Ekspertë të ndryshëm, të intervistuar nga CNN, thanë se përqindja e përhapjes së koronavirusit nga njerëzit që kanë simptoma dhe ata që nuk shfaqin probleme mbetet ende e paqartë. Megjithatë, personat pa simptoma, apo ata që e kaluan sëmundjen me simptoma të lehta, janë përgjegjës për transmetimin e virusit më tepër nga sa mendohej fillimisht. Kjo u konfirmua nga Majkëll Osterholm, drejtori i Qendrës së Sëmundjeve Infektive në Universitetin e Minesotës: “Dimë që transmetimi nga personat pa simptoma ka një rol të rëndësishëm në përhapjen e virusit. Është e padiskutueshme që njerëzit pa simptoma mund ta përhapin edhe më tepër një pandemi të tillë, duke e bërë shumë të vështirë që ajo të mbahet nën kontroll”. 

Në një artikull të publikuar përpara dy javësh në “New England Journal of Medicine”, Bill Gates, bashkëpresident i Fondacionit Bill dhe Melinda Gates, shfaqi shqetësim rreth përhapjes së sëmundjes nga personat të cilët nuk kanë shfaqur ende simptoma, apo që kanë komplikacione të lehta.

“Ka prova të forta se përhapja mund të realizohet nga njerëzit pa simptoma apo ata që janë në gjendje të lehtë. Kjo do të thotë se Covid-19 do të jetë më i vështirë për t’u përballuar, krahasuar me sindromën e frymëmarrjes në Lindjen e Mesme apo sindromën akute të frymëmarrjes si SARS, të cilat e kanë më të vështirë të përhapen dhe ku ndikonin vetëm personat e prekur”, shkruante Bill Gates.

Qëndrim të njëjtë ndajnë edhe specialistë të tjerë të fushës, nisur nga doktor Uilliam Shafner, profesor në Universitetin e Mjekësisë në Vanderbilt: “Personat pa simptoma të rënda luajnë një rol thelbësor në përhapjen e koronavirusit. Ata do të jenë burimi kryesor i përhapjes së virusit në komunitet”. 

Osterholmi u kërkoi zyrtarëve të shëndetit publik që të shprehen qartë rreth mënyrës si përhapet virusi: “Në fillimet e përhapjes kishim shumë pikëpyetje rreth mënyrës si përhapej virusi. Për fat të keq, shumë zyrtarë dolën me qëndrime të palëkundura se përhapja ndodhte në këtë apo atë mënyrë. Ndërsa po kuptojmë si ndodh transmetimi, është e qartë se shumë prej atyre deklaratave të mëparshme nuk ishin korrekte. Tani ka ardhur koha për t’i thënë gjërat troç. Të njoftojmë publikun për gjërat që dimë dhe ato që janë ende të panjohura”. 

Në Shtetet e Bashkuara, numri i personave të prekur nga koronavirusi apo që dyshohen është më tepër se 2000, ndërsa 50 kanë humbur jetën. Në muajin shkurt, punonjës të Biogen, kompanisë së bioteknologjisë në Kembrixh, morën pjesë në një mbledhje. Pas atij takimi, tre prej tyre rezultuan pozitivë në testet për Covid-19. Sipas autoriteteve të Departamentit të Shëndetit Publik në Masaçusets, ata tre punonjës nuk kishin shfaqur simptoma gjatë mbledhjes. Ky institut po heton rreth mënyrës së përhapjes së koronavirusit, duke grumbulluar informacione të reja rreth rasteve, ku simptomat shfaqen në një kohë të mëvonshme.

Edhe nga shtetet e tjera, ka raportime të përhapjes së virusit nga persona që nuk kanë simptoma apo janë në gjendje të lehtë. Drejtoresha e Institutit të Virologjisë në Frankfurt të Gjermanisë, Sandra Çiesek, testoi 24 pasagjerë të cilët kishin udhëtuar nga Izraeli. Shtatë prej tyre rezultuan pozitivë me koronavirus. Ndërsa katër prej atyre të prekurve nuk kishin shfaqur asnjë simptomë, Çiesek u befasua kur zbuloi se ngarkesa virale nga personat pa simptoma ishte më e lartë se ajo e tre pacientëve të cilët kishin shfaqur shenjat e virusit. Ngarkesa virale është njësia matëse e përqendrimit të virusit në sekrecionet e rrugëve të frymëmarrjes. Ngarkesë më e madhe virale nënkupton që ai person është më i rrezikshëm në përhapjen e infektimit te njerëzit e tjerë. Ndërsa Çiesek nuk e ka publikuar zbulimin e saj, më 18 shkurt ajo botoi një letër në “New England Journal of Medicine” rreth historisë së dy pasagjerëve që u kthyen në Gjermani nga Vuhani në Kinë dhe ishin pozitivë në testet për koronavirus. Njëri prej atyre pasagjerëve nuk kishte simptoma, ndërsa tjetri dhimbje të vogël në fyt. “Dolëm në përfundimin se të dy pacientët ishin bartës të virusit dhe sipas gjasave mund të infektonin të tjerët”, shkruajti ajo në një email për CNN.

Edhe disa studime të mëhershme, që përdornin modele matematike të përhapjes në Tianzhin të Kinës dhe në Singapor, gjatë muajve janar dhe shkurt 2020 konfirmonin se virusi mund të përhapej edhe nga njerëzit të cilët nuk kishin shfaqur simptoma. Tapiua Ganiani, një prej personave që drejtuan studimin, në Institutin e të Dhënave Shkencore në Universitetin Haslet në Belgjikë, theksoi se përqindjet nuk mund të thuhen ende me siguri të plotë.

Kërkues kanadezë, holandezë dhe nga Singapori, dolën në përfundimin se infeksioni mund të përhapet mesatarisht nga 2,55 deri në 2,89 ditë përpara shfaqjes së simptomave. “Analizat tona sugjerojnë se transmetimi nga personat pa simptoma është mjaft i zakonshëm”, konfirmoi autorja e studimit, Karolin Kolijn, e cila drejton Departamentin e Matematikës, Geneve dhe Evoluimin e Infeksioneve në Universitetin Simon Frejzër në British Kolumbia.

“Zyrtarët thonë se personat pa simptoma nuk janë motori i përhapjes së koronavirusit. Nëse këto njoftime do të shkruheshin tani, mënyra e formulimit për transmetimin nga njerëzit pa simptoma do të ishte ndryshe”, tha ajo. Ashtu si Kolijn, edhe virologu gjerman, Çiesek, beson se Qendra Amerikane e Kontrollit dhe parandalimit të sëmundjeve duhet të ndryshojë deklaratën e saj.

A2 CNN Livestream

Dita jonë