Rama, bisedë telefonike me presidenten e Komisionit Evropian

Edi Rama Komiteti i Sigurise Kombetare 1100x620

Me anë të një postimi në Facebook, kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se do të zhvillojë pasdite një bisedë telefonike me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, ndërsa më pas do të publikojë edhe një videomesazh.

Sa i përket situatës të krijuar nga koronavirusi falënderon qytetarët për zbatimin e masave, ndërsa thekson se qeveria është e angazhuar maksimalisht për t’u ardhur në ndihmë shqiptarëve në nevojë.

“Faleminderit të gjithëve për mirëkuptimin fantastik dhe zbatimin mbresëlënës të rregullave të luftës, që me këtë unitet të fortë do ta përballojmë me patjetër!

Besojmë se gjithçka që po bëjmë është gjëja e duhur, në çdo hap e çdo ditë dhe durim, durim, durim, sepse kjo luftë nuk do të jetë e shkurtër dhe s’është gjëkundi një lojë kukamçefthi, ku po u “fshehëm” një javë ia hodhëm!

Ju siguroj të gjithëve se po punojmë ditë-natë për të mos lënë vetëm asnjë shqiptar dhe për të bërë gjithçka për shëndetin e për ekonominë familjare dhe kombëtare po ashtu!

 Durim, durim, durim! Frikë aspak, kujdes po! Do t’ia dalim edhe kësaj lufte medoemos”, mbyllet postimi i Ramës.