17 të prekur me koronavirus në Kosovë, dalin dy pacientë nga Klinika Infektive

vitia koronavirusi 1100x620

Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia, në daljen e tij të fundit për shtyp, bëri me dije se bilanci i personave të prekur nga koronavirusi në vend ka arritur në 17.

Ai informoi publikun kosovar se dy pacientë janë nxjerrë nga Klinika Infektive dhe po trajtohen në shtëpi pasi gjendja e tyre është përmirësuar.

“Deri tani janë testuar 271 mostra të dyshimta, 17 prej tyre kanë rezultuar pozitive. Gjendja e të prekurve në Klinikën Infektive është e qëndrueshme me përjashtim të pacientit të moshuar, i cili herë pas herë trajtohet me oksigjen”, deklaroi Vitia.

Ministri Vitia u bëri thirrje qytetarëve që të mos kenë panik pasi janë marrë të gjitha masat dhe rezervat me ilaçe në vend janë të mjaftueshme.