245 shkelje në 24 orë, 4 drejtues mjetesh të arrestuar

Policia ndjekje ne Tirane Durres autostrada 1100x620

Policia e Shtetit ka bërë të ditur se brenda 24 orëve janë evidentuar 245 shkelje nga drejtuesit e mjeteve në të gjithë vendin, nga të cilët 4 janë vënë në pranga.

“Gjatë 24 orëve të fundit janë arrestuar në Tiranë, Cërrik, Fier e Dibër, 4 drejtues mjetesh dhe është proceduar penalisht 1 pasagjer. Sekuestrohen nga Policia Rrugore e Tiranës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Vorë, 12.400 franga zvicerane, një thikë dhe disa karta bankash zvicerane.

Në të gjithë vendin, gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 245 drejtues mjetesh, të cilët kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit dhe janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit, në zbatim të Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020, ”Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19″.

Në Tiranë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit M.K., 33 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Durrës, si dhe u procedua në gjendje të lirë vëllai i tij shtetasi E.K.

Shërbimet e Policisë Rrugore të Tiranës i kanë dhëne shenjë për të ndaluar mjetit tip BMW me targa të huaja, në dalje të kryeqytetit, me drejtues shtetasin M. K, por ky i fundit nuk i është bindur dhe ka shtuar akoma më shumë shpejtësinë dhe manovrat e rrezikshme, duke u bërë rrezik serioz për veten dhe punonjësit e Policisë Rrugore, ku në tentativë për t’u larguar, ka goditur dy mjete të Policisë Rrugore të Tiranës, që po e ndiqnin pa ndërprerje, deri sa ka braktisur mjetin në një rrugë rurale në afërsi të Vorës dhe janë larguar në këmbë, por falë ndjekjes nga afër janë prangosur nga efektivët e rrugores, të dy personat dhe janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Vorë, për veprime të tjera hetimore e procedurale.

Gjatë kontrollit në mjet dhe në trup, Policia gjeti dhe sekuestroi 12400 franga zvicerane, një thikë dhe disa karta banke zvicerane, në emër të shtetasit M. K.

Arrestimi i shtetasit M.K., u bë për veprat  penale “Kundërshtim i punonjësit të Policisë së Rendit Publik”, “Shkatërrim prone”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së Rendit Publik” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Ndërsa vëllai i tij shtetasi E.K. është proceduar penalisht, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së Rendit Publik”.

Në Cërrik, shtetasi G. Dh., 40 vjeç, duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur dhe me shpejtësi tej  normave të lejuara nuk i është bindur urdhrit të Policisë për të ndaluar dhe është kapur pas ndjekjes nga shërbimet e Policisë, në rrugën “Shalës”, Belsh. Edhe në momentin e kapjes dhe gjatë shoqërimit, ky shtetas ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë, por është prangosur dhe shoqëruar forcërisht në ambientet e Policisë. Arrestimi i tij u bë për veprat penale “Kundërshtim i punonjësit të Policisë së Rendit Publik”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së Rendit Publik” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

Në Fier, nga specialistët e Qarkullimit Rrugor në DVP Fier u arrestua  në flagrancë shtetasi  A. A., 29 vjeç, banues në Mallakastër, pasi në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Grecallisë”, u kap nga shërbimet e Policisë duke drejtuar automjetin tip “Benz”, në gjendje të dehur. Në Dibër, nga shërbimet e Policisë Rrugore të DVP Dibër u kap dhe  u arrestua në flagrancë shtetasi K. ZH., 23 vjeç, banues në Dibër, pasi në qytetin e Peshkopisë, u kap duke drejtuar automjetin tip furgon, pa dokumentacion dhe pa u pajisur me leje drejtimi”, mbyllet njoftimi i policisë.