Në 2 minuta mund të vizitoni “Marubin” dhe “Onufrin”… vizitat virtuale në muze

Ndërsa pesë ditë më parë “ArTurbina” pretendonte të mbushte sallën me 400 artdashës, apo galeritë me vizitorë të interesuar për historinë e një vendi, sot gjithçka është paralizuar. Aktivitetet zakonisht mbaheshin në ora 19:00, por këto ditë askush nuk do të mund të lëvizë nga shtëpia që prej orës 18:00.

Vizita virtuale në muzetë kryesore të vendit është e thjeshtë nga shtëpia nëse keni qasje në internet. Mjafton të hyni në Google për të kërkuar me fjalët “Muzeu Historik Kombëtar tour virtual”. Në faqe që do t’ju hapet, përveçse mund të klikoni për të bërë një shëtitje tredimensionale në muzeun e Tiranës, do të mund të gjeni të renditura të gjitha turet e tjera të muzeve në të gjithë vendin. Midis tyre gjeni shtëpinë me gjethe në Tiranë, muzeun “Marubi” në Shkodër, dy muzetë e Krujës dhe atë të “Onufrit”.

Pra për thuajse dy minuta nga shtëpia do të mund të shkoni drejt e në Berat. Vizita në këto muze mund të zgjasë sa të doni, madje mund të ndaleni në çdo cep të tyre. Mos harroni të lini diçka për të vizituar edhe nesër, ose shënoni ku doni të ndaloni sërish në vizitën e radhës.

Libra antikuarë harta periodikë dhe dorëshkrime mund të gjeni online edhe në faqen e Bibliotekës Kombëtare digjitale, mjafton të klikoni bksh.al.