Të vetëpunësuarit, mbyllur nga koronavirusi

Me Shqipërinë në karantinë nga Covid-19, shumë biznese u detyruan të ndërpresin aktivitetin. I tillë është edhe rasti i një salloni bukurie, dyert e të cilit janë të mbyllura që pas konfirmimit të rastit të parë me koronavirus në vend. 

Çdo sipërmarrje që nuk prodhon, nuk ka përse të qëndrojë hapur. Nga ana tjetër, faturat që duhen paguar vazhdojnë, një kosto shtesë për këto biznese.

“Janë dy familje që ushqehen nga ky biznes. Ndërprerja e pagave është shumë shqetësuese”, thotë menaxherja Alda Gjona.

Edhe në momentin e rihapjes, sipërmarrjet duhet të mendojnë për të tërhequr sërish klientelën dhe nxitur konsumin.

Sipas të dhënave zyrtare, në vendin tonë janë aktive mbi 100 mijë mikrobiznese, që shërbejnë si burim parësor i të ardhurave për po kaq familje. Të shpërndara veçanërisht në fushën e bareve, hoteleve, restoranteve, tregtisë dhe shërbimeve të tjera, ato janë edhe sipërmarrjet më të rrezikuara të dështojnë, veçanërisht kur duhet të paguajnë qira për ambientin.

Në një klimë mbytëse prej vitesh për biznesin e vogël, rimëkëmbja duket edhe më e vështirë.