Koronavirusi në Shqipëri, Shehu: Jam i gatshëm të jap ndihmesën time. Qeveria të bëjë më shumë

Tritan Shehu, ish-deputet i PD dhe mjek, u shpreh në një lidhje me “Skype” në A2 se qeveria duhet të bëjë më shumë në këtë situatë të krijuar nga përhapja e koronavirusit.

“Është një betejë shumë e vështirë dhe një sfidë e madhe për sistemet shëndetësore të çdo vendi. Beteja nuk është e lehtë, madje me shumë të panjohura, askush nuk di si do të jetë ecuria e saj në kohë. Personeli mjekësor shqiptar është i mrekullueshëm, kanë punuar gjithmonë me forcë dhe me kurajo edhe pse shpesh janë diskriminuar. Dua të them se është e rëndësishme që personeli mjekësor, jo vetëm duke inkurajuar, por duhet mbrojtur.

Personeli shëndetësor i kujdesit parësor duhet adoptuar menjëherë në këtë betejë, por deri tani është lënë mënjanë, duke ua besuar të gjitha 127-ës. Nuk është vetëm qendra e Tiranës, por Shqipëria është shumë më e madhe.

Qytetarët dhe sjellja e tyre është shumë e rëndësishme, por duhet të shikohej më përpara duhet të ishte më i fortë edukimi shëndetësor. Nevojitet një fushatë e fortë e edukimit shëndetësor. Qytetarët po bëjnë detyrën e tyre, shteti duhet të bëjë më shumë. Shqipëria ka nevojë për një potencial respiratorësh, jo vetëm në Tiranë, por edhe në të gjithë vendin”, tha Shehu. Më tej, ai theksoi se është i gatshëm të japë ndihmësen e tij në këtë situatë, duke qenë se është mjek, por theksoi se kjo i takon drejtuesve. “Unë jam në kontakt me kolegët e mi. Jap mendime në mënyrën e organizimit që prej janarit. E kam deklaruar qartësisht dhe jam i hapur të kontaktoj, të bisedoj, jam i gatshëm të jap ndihmën time në këtë situatë. I takon atyre që janë në drejtim të mobilizojnë kapacitetet e vendit”, tha Shehu në A2.