Krizë politike në Kosovë, bie koalicioni qeverisës, LKD mocion votëbesimi ndaj Kurtit

kurti mustafa 600x338

Bie koalicioni i qeverisës në Kosovë. Lidhja Demokratike e Kosovës do të paraqesë një mocion votëbesimi në Kuvend kundër ekzekutivit të drejtuar nga kryeministri, Albin Kurti. Kjo është bërë e ditur nga kreu i LDK-së, Isa Mustafa, i cili mbajti dhe një mbledhje urgjente të kryesisë së partisë. “Kemi vendosur që LDK-ja të iniciojë mocionin e mosbesimit për rrëzimin e Qeverisë Kurti, sepse ne nuk dëshirojmë të jemi më pjesë e një qeverisje të tillë”, u shpreh Mustafa në përfundim të mbledhjes.

Këto zhvillime erdhën pasi Kurti shkarkoi ministrin e brendshëm, Agim Veliu, nga radhët e LDK-së, i cili në një dalje publike kritikoi kreun e qeverisë dhe i konsideroi të pamjaftueshme masat e marra deri tani në Kosovë për të përballuar epideminë e Covid-19. “Ne kemi shprehur qëndrimin tonë dhe gatishmërinë tonë që të rrimë në qeveri derisa të tejkalohet kjo situatë emergjente, mirëpo nuk mund të lejojmë që Kurti çdo ditë ta shkarkojë e ta tallë nga një ministër tonin, sepse ne jemi parti serioze edhe nuk e meritojmë një partneritet me askënd me sjellje të tilla”, shtoi Mustafa.

Kreu i LDK-së pati edhe kritika të tjera ndaj kryeministrit Kurti, ndërsa e akuzoi për rrezikim të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe prezencën ushtarake dhe paqësore amerikane në Kosovë. Gjithashtu e kritikoi vendimin për taksën, duke refuzuar zëvendësimin e saj me reciprocitet por kërkoi heqjen e plotë të saj në dakordësi me këshillat e Uashingtonit. Nuk dihet se kur mund të ketë një seancë për votëbesimin e qeverisë me situatën emergjente nga pandemia koronavirus, por opozita shpeshherë është shprehur e gatshme ta votojë rrëzimin e ekzekutivit Kurti.