Pas “tërmetit”, Ahmetaj në krye të grupit të punës për koronavirusin

SINKRON AHMETAJ frame 1597 1100x620

Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, i caktuar në këtë detyrë në janar të këtij viti, për të kryesuar grupin që do të drejtojë punën për rimëkëmbjen pas tërmetit të 26 nëntorit, ka marrë edhe detyrën e koordinatorit mes ministrive dhe institucioneve, për hartimin e planit të përballimit të situatës ekonomike shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.

Përmes një vendimi të Këshillit të Ministrave, Ahmetaj merr kështu drejtimin e grupit të punës që do të merret me evidentimin e burimeve të shtetit shqiptar të cilat do të vihen në dispozicion të përballimit të situatës. Po ashtu, Ahmetaj do të jetë në krye të grupit të punës që do të evidentojë edhe burimet e jashtme financiare dhe përcaktimin e mënyrës së përfitimit të tyre.

Deri tani, koronavirusi u ka marrë jetën 2 personave në Shqipëri, ndërsa numri i rasteve të konfirmuara është 59. Për shkak të masave të ndërmarra për parandalimin e përhapjes së virusit, pasojat në ekonomi parashikohet të jenë të ndjeshme.