Situata nga koronavirusi, shpallet gjendja e jashtëzakonshme në Maqedoninë e Veriut

pendarovski nieuwe president noord macedonie 1100x620

Rritja e bilancit të të prekurve nga koronavirusi ka detyruar presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski të ndjekë shembullin e shumë vendeve europiane dhe të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme.

Sipas kreut të shtetit maqedonas kjo situatë do të zgjasë për 30 ditë dhe se shumë shpejt do të prezantohen dhe masat e parashikuara shtrënguese që kanë si qëllim mbrojtjen e jetës së qytetarëve.

“Vendimin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme ka si qëllim mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe përballjen dhe evitimin e pasojave nga koronavirusi. Gjendja e jashtëzakonshme do të zgjasë 30 ditë. Para skadimit të afatit pres që qeveria të më dorëzojë një plan të detajuar lidhur me efektin e masave që janë ndërmarrë dhe me propozim nëse ka nevojë për vazhdimin edhe për 30 ditë të tjerë apo heqjen e masës”, deklaroi Pendarovski.

Presidenti maqedonas tha gjithashtu se për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme ka pasur mbështetjen e të gjithë faktorit politik në vend. Deri tani në Maqedoninë e Veriut është raportuar për 31 persona të infektuar me koronavirusin e ri.