Denoncohet Joviç dhe Ninkoviç në Serbi, futbollistët thyen rregullat e karantinës

MB REAL MADRID LUKA JOVIC frame 136 1100x620

Mediat serbe sot kanë referuar se futbollistët serb, Luka Joviç i Real Madrid dhe Nikola Ninkoviç i Ascolit, nuk kanë respektuar detyrimin për vetëizolim, pasi janë kthyer në Serbi, ndaj janë denoncuar nga forcat e rendit mbi bazën e rregullave të reja për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Në veçanti specifikohet se Joviç, ka braktisur karantinën e “Los Blancos” në Madrid dhe është kthyer në Serbi për të festuar ditëlindjen e të dashurës së tij Sofija Miloseviç. Kritikat e para për këta futbollistë që kishin thyer rregullat shtrënguese për të luftuar koronavirusin erdhën nga kryeministrja Brnabiç, e cila nuk i specifikoi ata me emër.

Edhe ministri i Brendshëm, Nebojsa Stefanovic konfirmoi se është ngritur padi penale ndaj disa sportistëve për neglizhencën e treguar ndaj rregullave të karantinës.

Menjëherë pas këtyre deklaratave vjen dhe reagimi i futbollistit të Realit të Madridit, Joviç i cili iu kërkon të gjithëve falje për situatën e krijuar.

“Testi im për Covid-19 në Madrid rezultoi negative dhe për këtë arsye vendosa të udhëtoj drejt Serbisë, për të qenë pranë familjes time, me lejen e klubit. Më vjen keq por nuk më dhanë detaje specifike se si duhet të sillem përgjatë izolimit tim. Në Spanjë lejohet të bësh shopping, të shkosh në farmaci, ndërsa këtu jo. Ju kërkoj falje nëse kam dëmtuar apo vënë në rrezik ndokënd”, shkruan Joviç.