Kosova i kërkon ndihmë Turqisë për të luftuar koronavirusin

kosova koronavirusi 1 1100x620

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka kërkuar ndihmën e homologut turk, Erdogan për të përballuar situatën e krijuar nga pandemia e koronavirusit.

Në një postim në Facebook, Kreu i Shtetit të Kosovës njofton se ka pasur një bisedë telefonike me presidentin Erdogan të cilit i ka kërkuar mbështetje medicionale, logjistike dhe teknike për ta luftuar Covid-19.

“Sapo përfundova një bisedë telefonike me Presidentin e Turqisë, mikun tim dhe të popullit të Kosovës, Recep Tayyip Erdogan. Biseduam për marrëdhëniet bilaterale dhe për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve për tejkalimin e kësaj situate dhe luftimin e pandemisë COVID-19. Presidentit Erdogan i kërkova mbështetje medicionale, logjistike dhe teknike për ta luftuar në mënyrë më efektive këtë pandemi dhe për ta mbrojtur më mirë popullin e Kosovës. Presidenti Erdogan u zotua se gjithçka që Turqia ka në dispozicion do të jenë në shërbim edhe të popullit të Kosovës. Gjithmonë mirënjohës për mbështetjen e Presidentit Erdogan dhe popullit turk”, shkruan Hashim Thaçi në Facebook.

Deri tani në Kosovë raportohen 20 persona të prekur me virusin e ri, 13 prej të cilëve po trajtohen në Klinikën Infektive.