Plani financiar i qeverisë në “lupën” e Rezart Priftit

Pedagogu i Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Tiranës, Rezart Prifti, në një lidhje të drejtpërdrejtë me “Ditari” në A2, u shpreh se plani i prezantuar nga kryeministri Edi Rama si disa “shifra të rrumbullakosura që tregon se janë të pamenduara”.

“25 milionë dollarë për shëndetësinë, duheshin alokuar më parë; 100 milionë dollarë për kompanitë, nuk kanë pasur studim nga mbrapa. Se si do të veprojë ky plan me 100 milionë dollarë, nuk të jap dot argumentim ekonomik; 65 milionë dollarë për shtresat në nevojë dhe për biznesin e vogël, i vetmi zë që do të shkojë direkt te biznesi, por duhen përcaktuar se kush janë këto shtresa; 20 milionë dollarë për Ministrinë e Mbrojtjes, nuk e di se çfarë misioni humanitar do të ketë kjo ministri. Kjo më duket alarm se 20 milionë dollarë sapo ikën; nuk e kuptoj pse Këshilli i Ministrave duhet të ketë 10 milionë dollarë për emergjenca të pamenduara; 150 milionë dollarë kamatë-vonesa, i përgjigjet një problemi sot me një problem të mbartur 2-3 dekada më parë; në lidhje me riskedulimin e tatim-fitimit për biznesin, ai është kërkuar me kohë dhe nuk është bërë. Kush më siguron që do të bëhet tani”, shprehet Prifti.

Më tej, Prifti theksoi: “Ku është Ministria e Financave sot? Ka humbur. Kryeministri flet 40 minuta për hallet dhe nuk ka kohë të shpjegojë se si do të bëhen teknikisht të gjitha këto pika. Këto ishin 7 pika që edhe një student në vit të parë t’i prezanton në “poëer point”. Sot kërkoj udhëheqje dhe zgjidhje. Nuk dimë se çfarë t’u themi punonjësve.

Sipas Priftit, hallet e popullit zgjidhen duke ndërhyrë në rezervën valutore të Bankës së Shqipërisë: “Unë kam një sugjerim: të preket rezerva valutore e Bankës së Shqipërisë, që është 3,4 miliardë euro. Me vetëm gjysmë miliardi euro zgjidhen hallet e këtij vendi. Nuk ka nevojë për lot krokodili, zgjidhja është e thjeshtë: prek rezervën valutore. Meraku im është se kush do ta prekë rezervën valutore”.