Protestë e familjeve të varfra në Elbasan, shpërfillin masat kundër koronavirusit

Në lagjen “5 maji” në Elbasan, një pjesë e madhe e familjeve të komunitetit rom kanë dalë në protestë këtë të enjte, duke kërkuar ushqime dhe medikamente.

Ata thonë se për shkak të masave kufizuese prej koronavirusit e kanë të pamundur të tregtojnë, siç bëjnë në ditë të zakonshme në të gjithë qytetin. Duke shpërfillur të gjithë masat e vendosura e duke rrezikuar edhe jetën e vet dhe të të tjerëve, banorët janë mbledhur rreth orës 9:00.

Ata kërcënojnë që në rast se nuk do të kenë një reagim nga ana e Bashkisë së Elbasanit, do të bllokojnë pikat kryesore në qytet. Ata kërkojnë ndihmë në ushqime dhe ilaçe, pasi thonë se prej ditësh nuk kanë dalë në punë dhe e kanë të pamundur të sigurojnë të ardhura. Një pjesë e mirë e tyre, gjithsesi, janë të papunë dhe trajtohen më ndihmë sociale.