Përhapja e koronavirusit në Kosovë, mjeku infeksionist: Piku pritet në javën e dytë të prillit

Mjeku infeksionist Valbon Krasniqi, në një lidhje të drejtpërdrejtë me studion e “Ditari” në A2, deklaroi se aktualisht në Kosovë janë 22 persona të prekur me koronavirus, por theksoi se pritet që piku i përhapjes të mësohet rreth javës së dytë të prillit.

“Kemi 22 të prekur, por kemi një shtrirje më të madhe nëpër komunat e prekura. Jemi në javën e dytë që prej konfirmimit të rastit të parë dhe po gjurmojmë dhe testojmë personat e kontaktit të rasteve të para. Jemi duke pritur me ankth javën e dytë e të tretë për të parë nëse pandemia është ndalur në rrethin e kontaktit apo është përhapur më gjerë. Mendoj se java e dytë e prillit mund të arrijë pikun në Kosovë”, theksoi Krasniqi.

Sipas tij, “të gjithë qytetarët që vijnë nga jashtë karantinohen nëpër konviktet e studentëve në Prishtinë” dhe se aty “janë mbi 200 persona”.

Mjeku shtoi se “qytetarët i morën më seriozisht rekomandimet e mjekëve vetëm pasi u konfirmua rasti i parë me koronavirus në Kosovë”.

Në lidhje me faktin se sa është gati sistemi shëndetësor kosovar për të përballuar emergjencën, Krasniqi tha: “Kemi gati 200-250 shtretër, por, po të jetë nevoja, do të përdoren edhe godina të tjera”.