Pushime në kohë koronavirusi, studentët thyejnë rregullat dhe nuk heqin dorë nga festat – A2

Pushime në kohë koronavirusi, studentët thyejnë rregullat dhe nuk heqin dorë nga festat

Mijëra student amerikanë kanë vendosur të pushojnë edhe në kohë koronavirusi, në ato që njihen si pushimet e pranverës, në Florida, vendi i tyre i preferuar për të kaluar disa ditë pushimi, larg kampuseve universitare, larg prindërve e mbi të gjitha larg stresit e panikut nga Covid-19. Ata thonë se nuk pyesin për koronavirus dhe as për masat e jashtëzakonshme, të implementuara nga qeveria në këtë gjendje emergjence globale.

Në Majami, prej 17 marsit, baret restorantet dhe klubet e natës, me urdhër zyrtar, mbyllen që prej orës 23 të mbrëmjes por kjo nuk i ndalon studentët të festojnë, gjatë ditës por edhe në orët e natës gjithashtu, në rrugë apo buzë plazhit, me alkool në dorë, pse jo, edhe birra korona. “Po më zuri korona, le të më zërë. Në fund të ditës, unë nuk do ta lejoj koronën të më ndalojë së festuari”, thotë një student.

Për shkak të masave të emergjencës, të cilat penalizojnë jo pak Majamin në kulmin e sezonit turistik, edhe kinematë e teatrot janë mbyllur, palestrat dhe bizneset e tjera argëtuese gjithashtu. Autoritetet nuk lejojnë as grumbullimet me më shumë se 10 vetë në një vend.

Brianna Smith, studentja 21-vjeçare nga Uiskonsin, ankohet për masat e marra nga qeveria, me argmentin se janë shumë drastike. “Po më shkatërron pushimet e mia të pranverës. Çfarë mund të besh tjetër këtu përveçse të shkosh në bare dhe në plazh? Ata po i mbyllin të gjitha. Mendoj se këto janë masa shumë drastike”.

Ni Smith, që udhëtoi drejt Majamit nga Nju Orlins, bashkë me tre shoqet e saj për këto pushime, tha se do ti shijojë ato, pavarësisht masave shtrënguese. “Kjo ta shpif por ne do të kënaqemi edhe kështu. Do ta shijojmë në mënyrën tonë. Do të festojmë çdo ditë. Kam ditëlindjen, ndaj do ta djegim”.

Edhe plazhet e famshme të Majamit do të kenë kufizime në frekuentim, vetëm disa seksione përgjatë vijës bregdetare do të jenë të hapura për pushuesit në South Beach. Pjesa më e madhe është mbyllur për të mos lejuar përhapjen e virusit Covid-19.

“Gjithçka është e mbyllur. Shumë nga restorantet ofrojnë vetëm shërbim taksi apo i shërbejmë klientëve në dhomat e tyre. Plazhet janë kryesisht të mbyllura. Ditët e fundit është mbyllur çdo gjë dhe kjo mund të zgjasë për shumë kohë”, thotë Jeffrey Holinka, menaxher lokali.

Majami është një nga pikat kryesore turistike në Shtetet e Bashkuara dhe sipas ekspertëve, do të jetë një nga shtetet që do të pësojë humbjet më të mëdha në ekonomi.