Pandemia mund të zgjasë, Serie A bllokon rrogat e marsit për futbollistët

SERIE A 1 1100x620
Official Logo Serie A before the Italian Serie A football match between SS Lazio and Genoa CFC at the Olympic Stadium in Rome, on september 29, 2019. (Photo by Silvia Loré/Sipa USA)

Klubet e Serisë A janë të parat që kanë vendosur masat në këtë periudhë krize. Në një mbledhje urgjente të Ligës Italiane të Futbollit, në emergjencën e koronavirusit, që ka ndërprerë të gjitha aktivitetet, drejtuesit e skuadrave bllokuan rrogat e muajit mars për lojtarët. Ata kanë përcaktuar edhe linjën që do të ndjekin, nëse situata nuk normalizohet në kohë: nëse do të jetë e pamundur që kampionati të rinisë dhe sezoni të mbyllet, të gjithë lojtarëve do t’u mbahet 30 për qind e kontratës.

Për vendimet e marra, Liga njoftoi edhe Shoqatën e Futbollistëve. Argumenti lidhet më dëmet e mëdha ekonomike që pandemia po i shkakton sistemit të futbollit. Klubet e shohin veten në një krizë financiare, nga e cila e kanë të vështirë të dalin, sepse prej ndërprerjes së kampionatit dhe kupave, rrezikojnë të mos përfitojnë këstet e fundit nga e drejta televizive.

Në këtë moment delikat, përfaqësuesit e skuadrave ngritën pyetjen: “përse futbollistët duhet të jenë të vetmit që nuk preken nga kriza?”. Pikërisht këtu lindi propozimi për bllokimin e rrogave të muajit mars. Ideja për të mos paguar rrogat e plota të lojtarëve milionerë u mendua fillimisht në Bundesligën gjermane dhe Ligue 1 franceze, ndërsa një zgjidhje të tillë po e shqyrton edhe Barcelona, nga e cila do të prekej Lionel Messi dhe yjet e tjerë të ekipit.

Liga Italiane e Futbollit i’a komunikoi vendimin Federatës dhe Shoqatës së Futbollistëve, me planin e masave që parashikon se nëse kampionati nuk do të rinisë, lojtarëve nuk do t’u paguhet 30 për qind e rrogës së sezonit. Një tjetër pikë e debatueshme, pasi sindikata kërkon që një masë e tillë të diskutohet më vonë në kohë, nëse do të jetë e pamundur që Serie A të rikthehet në fushë deri më 6 qershor. Gjithashtu, Shoqata e Futbollistëve pretendon se shkurtimi i 30 për qind të pagës pa bërë një llogaritje të saktë të dëmeve të pësuara nuk është vendimi më i drejtë.