Kampioni i peshëngritjes sfidon koronavirusin, Çalja vijon stërvitjen për Lojërat Olimpike

Në këtë situatë të jashtëzakonshme për shkak të koronavirusit, ndoshta i vetmi që mendon për një aktivitet sportiv është kampioni kombëtar dhe evropian në peshëngritje, Briken Çalja. Së bashku me trajnerin dhe ndihmës trajnerin e tij, Çalja nuk ka ndërprerë për asnjë moment stërvitjen për Lojërat Olimpike.

“Duhet të jem në kontakt me stërvitjen dhe kjo është një palestër e imja dhe nuk ka njerëz të tjerë që stërviten”, thotë Çalja. “Më duhet të vazhdoj rregullisht përgatitjet, sepse medaljet duan punë dhe nuk mund të ndërpres përgatitjet.”

Por si e ka përjetuar Calja këtë situatë të pazakontë. “Përtej koronavirusit, kam marrë masat personale. Këtu stërviten vetëm me trajnerin dhe ndihmëstrajnerin. Nuk është momenti për të pasur frikë, por kujdes po.”

Edhe pse për momentin është luks të mendosh mbështetje shtetërore, duket se Çalja do të ecë me forcat e veta për të arritur synimet dhe objektivat e tij sportive. “Jo tani, por edhe kur kam arritur rezultate marramendëse, qeveria ka qenë pothuajse zero”, thotë ai.