Koronavirusi/ Futboll në kushte shtëpie, nisma e FSHF-së për fëmijët

Publikuar më: 23/3/2020, ora 22:28
futboll shtepi FSHF 1024x576

Koronavirusi/ Futboll në kushte shtëpie, nisma e FSHF-së për fëmijët

Publikuar më: 23/3/2020, ora 22:28

Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka nisur një fushatë me qëllim motivimin e fëmijëve, dhe kujdesin për ta, gjatë periudhës së karantinimit kombëtar për shkak të virusit COVID-19.

Institucioni përgjegjës për futbollin shqiptar, gjykon se kujdesi për fëmijët, si nga ana fizike ashtu edhe social-psikologjike, është shumë i rëndësishëm në këto ditë të vështira për gjithë shoqërinë tonë, dhe më gjerë. Krahas detyrave tona familjare, një vëmendje e veçantë u duhet kushtuar fëmijëve tanë, dhe futbolli është rruga më e mirë, si sporti më i dashur në Shqipëri.

FSHF-ja lançoi në kanalet sociale këtë fushatë, që u kërkon vajzave dhe djemve të rrinë në shtëpi, dhe të luajnë futboll sipas kushteve tona familjare. Prindërit dhe fëmijët kanë treguar një interes shumë të madh në 24 orët e para të fushatës, duke dërguar videot e tyre, që tashmë po publikohen në kanalet sociale të Federatës së Futbollit.

FSHF-ja ka ngritur një juri, e cila do të vlerësojë të gjitha videot dhe do të përcakojë më të mirat prej tyre.

Këto janë çmimet për 20 videot më të mira:

Vendi i parë: uniformë komplete e kombëtares me emër dhe numër

Vendi i dytë: fanelë e kombëtares me emër dhe numër

Vendi i tretë: top dhe USB

Vendet 4-5: top

Vendet 6-10: USB

Vendet 11-15: kapele e kombëtares

Vendet 16-20: çantë shpine.